Shkelja e të drejtave të njeriut në Kosovë 1990-1997, sipas materialeve të Arkivit të Kosovës
Abstract
Punimi që paraqesim do të përpiqet të trajtojë interesimin e misioneve diplomatike për zhvillimet politike në Kosovë gjatë periudhës së pushtimit 1990 – 1997 nga pushteti represiv serb. Tema në fjalë analizon me theks të veçantë shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë nga pushteti represiv serb, gjatë periudhës së shkatërrimit të RSFJ–së dhe formimit të Jugosllavisë së cunguar, e cila udhëhiqej nga “kasapi” i shekullit XX, kryenacionalisti serb, Millosheviç. Shkelja e të drejtave të njeriut mbi popullin shqiptar të Kosovës nga pushteti dhe pushtetarët serbë ka një histori të gjatë një shekullore, por, gjatë kësaj periudhe, dhuna dhe terrori serb shkeli të gjitha normat juridike të vetë shtetit të mbetur dhe aktet e konventave ndërkombëtare. Për herë të parë,diplomacia ndërkombëtare merret seriozisht me shkeljen e të drejtave të popullit shqiptar nga pushteti represiv serb, monitorohet nga afër gjendja, trajtohet zyrtarisht nga institucionet ndërkombëtare relevante për të drejtat e njeriut, aprovohen rezoluta kundër politikave të shtetit represiv jugosllav dhe dënohet nga diplomacia dhe institucionet ndërkombëtare. Gjatë shtatë viteve të fundit të shekullit XX, në Kosovë përballen dy koncepte diametralisht të kundërta. Lëvizja paqësore gandiane e popullit shqiptar të Kosovës, e udhëhequr nga elita intelektuale politike shqiptare, e cila, në rrethana të jashtëzakonshme politike krijon bazën juridike e kushtetuese të shtetit të ri evropian, dhe koncepti klasik i hegjemonizmit pushtues serb, i cili, me sjelljet e tij fashistoide, suprimoi Kushtetutën e Kosovës, të vitit 1974, pezulloi institucionet qendrore e lokale të Kosovës, mori në zotërim masmediat e Kosovës dhe largoi shqiptarët nga vendet e punës, duke përdorur dhunën sistematike policore ndaj popullatës shqiptare, duke imponuar largimin e qindra-mijëra shqiptarëve nga Kosova. Arbitër në mes këtyre dy koncepteve, konceptit pushtues serb dhe konceptit liridashës shqiptar, ishte koncepti ndërmjetësues i diplomacisë ndërkombëtare. Diplomacia ndërkombëtare ishte jashtëzakonisht aktive në monitorimin, ndërmjetësimin, dënimin e shkeljes së të drejtave të shqiptarëve nga pushtuesi serb dhe ofrimin e zgjidhjes për gjendjen e rëndë politike dhe shpërthyese në Kosovë. Kur Evropa demokratike rrëzonte muret ndarëse midis popujve, diktaturat e sistemit komunist binin, Perandoria ruse shpërbëhej, Serbia me metoda fashistoide tentonte të krijonte
Serbinë e Madhe, me dhunë dhe terror shtetëror ndaj popullit liridashës shqiptar dhe ndaj popujve tjerë të ish-Jugosllavisë. Në bazë të diskutimeve diplomatike, rezolutave, protokolleve dhe konventave ndërkombëtare, të aprovuara dhe të nënshkruara nga vetë shteti jugosllav, masat e dhunshme të shtetit policor serb ndaj shqiptarëve krijuan shkelje të të drejtave njerëzore në shumë sfera
të jetës, si:
- Zhveshja e institucioneve publike të Kosovës nga çdo përgjegjësi juridike dhe
administrative.
- Aparteidi (supremaci) serb në arsim.
- Dëbimi i klasës punëtore shqiptare nga vendet e tyre të punës me dhunë.
- Ndalimi dhe pushtimi i institucioneve të informimit në gjuhën shqipe.
- Vrasjet e qytetarëve shqiptarë të pafajshëm, e të tjera.
Nga viti 1989 çështja e Kosovës nuk është më çështje e brendshme e Jugosllavisë, por bëhet çështje ndërkombëtare, falë interesimit të shteteve dhe institucioneve ndërkombëtare, të cilat trajtuan dhe dënuan seriozisht shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë, nëpërmjet rezolutave të veçanta për Kosovën. Tema ndërtohet në bazë të materialeve arkivore të pabotuara, botimet shkencore dhe shtypi i kohës.



