Aspekte të kontaktit gjuhësor mes Shqipes e Anglishtes

Autorët

  • Irena (Pata) Kapo

DOI:

https://doi.org/10.62006/sf.v74i3-4.1002

Abstract

Kontakti gjuhësor i anglishtes me gjuhë të tjera apo ndikimi që gjuha angleze ka ushtruar e vazhdon të ushtrojë mbi gjuhë të ndryshme ka çuar në krijimin e emërtimeve të gjuhëve ‘hibride’ si Denglish (Deutsch + English) e Franglaish (French + English). Valter Memisha flet “për një anglishtezim” të shqipes1. Xhevat Lloshi ka ndërtuar termin ‘albalisht’ duke sjellë si shembuj analogë “krijimet për tri gjuhët e tjera kryesore europiane, domethënë franglais, italiese dhe spanglish, që kanë kuptimin e frëngjishtes, italishtes dhe spanjishtes të përziera me anglishten, si dhe sipas japlish – një përzierje e japonishtes me anglishten”2. Në mënyrë të ngjashme me gjuhët e tjera evropiane moria e anglicizmave në shqipe si dhe hasja e shpeshtë e ‘ndërkëmbimit të kodit’ (fjalë e shprehje anglisht që ndërthuren me ligjërimin shqip të politikanëve, artistëve, gazetarëve etj.) më ka çuar drejt krijimit të emërtimit ‘shqip-lisht’ (shqip + anglisht) apo ‘Alb-lish’ (Albanian + English) një term më lehtësisht i dallueshëm e deshifrueshëm për të huajt.
Fillimi i shekullit të 20-të njeh studime e shkrime të shumta mbi ndikimin e gjuhës angleze në gjuhët evropiane. Këtë e demonstrojnë botimet e ndryshme por dhe fjalorët e anglicizmave në atë kohë si për shembull ‘Dictionnaire Étimologique et Historique des Anglicismes’ i Edouard Bonnafé-s (Paris, Librairie Delagrave, 1920), ‘Anglicisme’ i Otto Jespersen-it (Salmonsens Konversations leksikon, 1915) etj. Më vonë pati dhe të tjerë fjalorë e botime për anglicizmat në italishte, gjermanishte etj., si për shembull ‘Fjalori i Anglicizmave në Italinë e Pasbashkimit’ 1987, ‘Fjalori i Anglicizmave Europiane’ i Manfred Görlach-ut, 2001, Fjalori i Anglicizmave në Gjermanisht 1993 etj. Në vazhdën e kërkimit dhe studimit të huazimeve angleze në gjuhë të tjera edhe shqipja nuk bën përjashtim; shumë studiues e kërkues, ndër ta Xhevat Lloshi, Valter Memisha, Hajri Shehu3, Jani Thomai etj., kanë tërhequr vëmendjen në lidhje me identifikimin e huazimeve të shumta që përdoren sidomos nga të rinjtë në gjuhën e folur të përditshme por dhe në medie të tjera siç janë periodikët, media audiovizive etj. Po ashtu ka dhe shumë studiues nga Kosova e treva të tjera shqiptare, të cilët kanë kryer kërkime e studime mbi anglicizmat, si Vesel Nuhiu4, Rrahman Paçarizi5 etj., ashtu si ka dhe studime për anglicizmat në terminologjinë teknike të realizuara gjerësisht nga Nebi Caka6, Agron Duro7 etj. Ndikimi i gjuhës angleze daton që në fillim të shekullit të 20-të, me përkthimet e para nga anglishtja8 dhe me botimin e periodikëve të parë në territorin e Shqipërisë, por në mënyrë të veçantë, periodikët e shumtë të botuar në vendet e tjera të Europës e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jani Thomai pohon se “në vitet 20-të të shekullit XX në gjuhën shqipe hynë fjalë nga gjuhët neolatine, si frëngjishtja e italishtja, me shumë terminologji të fushave të ndryshme. Po në këto vite nisën të vijnë dhe fjalë nga anglishtja (terminologjia sportive), si huazime fjalësh ose kalke”.

Downloads

Download data is not yet available.

Downloads

Published

2020-12-07

How to Cite

Kapo, I. (2020). Aspekte të kontaktit gjuhësor mes Shqipes e Anglishtes. Studime Filologjike, 74(3-4), 183–206. https://doi.org/10.62006/sf.v74i3-4.1002