Toka si kufi dhe metoda si kanon: Ara në mal i Petro Markos

Autorët

  • Shaban Sinani

Abstract

Gjatë dy dekadave të fundme letërsia e Petro Markos është shpenguar e rikthyer. Duke iu referuar Intervistës me vetveten, shkruar në vitet 1980 dhebotuar me titullin Retë dhe gurët, mund të thuhet se vepra e tij është bërë tashmë e njohur në tërësinë e vet. Kjo kupton kthimin në komunikim të veprave të ndaluara, heqjen e censurës mbi ato që ishin cenuar dhe botimin e veprave të lëna në dorëshkrim. Pak gjë ka mbetur për një paraqitje të parë të krijimtarisë së tij. Ndërsa për botime institucionale-filologjike është ende shumë shpejt të flitet. Në kushtet e zhbërjes së arkivave të shtëpive botuese dhe përgjithësisht të arkivave të krijimtarisë, kjo pyetje do të marrë një përgjigje të kushtëzuar nga arkivat e autorit vetë. Botimet filologjike, në masën që janë të mundshme, do të zgjidhnin problemin e autenticitetit të teksit autorial tashmë të kontestuar për ndonjë vepër1 dhe njëherësh do të nxirrnin në dritë shkallën e frikshme të deformimit të veprës letrare në procesin e botimit sa qe gjallë autori2.

Downloads

Download data is not yet available.

References

  1. Natasha Lushaj, A është i P. Markos “Një emër në katër rrugë”?, botuar në “Fjala”, nr. 150, 12-13 shtator 2004, f. 5-7. Idem (intervistë): Dyshohet dora e romanit “Një emër në katër rrugë” të Petro Markos, në “Metropol”, nr. 105, datë 7 shtator 2004, f. 17. Këto çështje N. Lushaj i trajtoi më herët dhe në një artikull të botuar në revistën Mehr Licht, Tiranë, 2002. Studiuesja i është rikthyer kësaj pyetjeje edhe në trajtesën Për një botim kritik të veprës së P. Markos, botuar në përmbledhjen e studimeve “Konferenca shkencore Petro Marko: personalitet i shquar i letërsisë moderne”, botim i Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”, Vlorë 2009.

  2. Në AQSH ekziston një fond nominal modest për Petro Markon, që përmban kryesisht tekste të ndaluara në periudhën monarkike dhe burime dokumentare për veprimtarinë e tij. Dokumente gjenden edhe në Arkivin e Ministrisë së Brendshme. Disa prej tyre janë bërë të njohur. Shih K. Dervishi, Ta lexosh partinë nga brenda: letra e Petro Markos nga burgu më 5 maj 1949, botuar në 55, nr. 107, 21 prill 2010, f. 18-19. Në shumë artikuj të shtypit letrar e joletrar janë përmendur blloqet, shënimet, letrat (shih, për shembull: Petro Marko rrëfen bisedat me Mehmet Shehun - letrat kur ishte në SHBA për Fan Nolin, pse refuzoi të kthehej në Shqipëri dhe pse iu premtua një trajtim në nivelin e kryeministrit, botuar në “Republika”, nr. 74, 31 mars 2009, f. 19). Fatmirësisht një pjesë e dorëshkrimeve të tij janë ruajtur në arkivin e familjes. Prej këtyre dorëshkrimeve kanë dalë e janë botuar veprat: Ditën që rrojta unë, Retë dhe gurët - intervistë me vetveten, Një emër në katër rrugë, Një natë dhe dy agime, Çuka e shtegtarit, Lejania dhe vepra të tjera.

  3. Në botimin e parë romani nuk ka vit botimi. Nga disa studiues citohet si botim i vitit 1966, nga disa të tjerë si botim i vitit 1968 dhe në pjesën më të madhe të rasteve të katalogimit në biblioteka si pa vit botimi (s. d., s. a.). Autori vetë ka shenjuar në fund të romanit: “Nëntor 1966 - nëntor 1967”. Kjo është arsyeja e vendosjes në këtë kronologji.

  4. Ndër veprat e lejuara para vitit 1990 romani Ultimatumi pati një fat më të mirë, u ribotua më 2002. Ndërsa romani Të thjeshtët, botuar nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” më 1984; tregimet e vëllimit Urata dhia dhe perëndia, po ajo (1967); si dhe libri Rrugë pa rrugë (1964), nuk janë rikthyer më në qarkullim letrar.

  5. Botimi i romanit Ara në mal u mirëprit prej kritikës, shtypit dhe opinioneve letrare, Lidhjes së Shkrimtarëve. Në Kongresin II të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve u përmend si një vepër ku pasqyrohet problematika aktuale, përpjekjet e njerëzve tanë për të ndërtuar të renë, socializmin, në një rend me Kthesa të forta të R. Brahimit, Dasma të I. Kadaresë dhe Shembja të I. Uruçit. Shih: Kongresi II i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (24.IV.1969 - 26.IV.1969), botim i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Tiranë, 1969, f. 121. Po atë vit Petro Marko shkroi një artikull vlerësues për romanin Dasma të I. Kadaresë, që, sipas burimeve arkivore, u përftua si artikull direktiv, në të cilin i shërbehej një procesi politik dhe ideologjik që inkurajohej nga lart: Thuhet se një nga udhëheqësit ka lavdëruar romanin ‘Kronikë në gur’ dhe kjo konsideratë përhapet në masë e pastaj të tjerët heshtin. Një gjë e tillë thuhet edhe për artikullin e Petro Marko për romanin ‘Dasma’, për të cilin burimi thotë se të tjerët shprehen se artikulli është direktiv dhe për pasojë, në rast se flitet kundër vlerësimit konkret, atëherë mendohet se je ngritur kundër direktivës. Për mënyrën si u reagua ndaj këtij opinioni të raportuar në një relacion analitik të Ministrisë së Punëve të Brendshme, botuar në librin ‘Një dosje për Kadarenë’, “Albas”, Tiranë-Tetovë, 2005, f. 188-193, shih dhe librin e N. Hoxhës “Jeta ime me Enverin”, vëll. II, Tiranë, 2001, f. 147. Ky është i vetmi rast që P. Marko shfaqet në shtyp në mënyrë të posaçme për të vlerësuar një vepër të I. Kadaresë, në të cilën, subjektivisht apo objektivisht, lartësohej një lëvizje e orientuar komuniste.

  6. Teza e doktoratës e studiuesit Ali Aliu u botua me titullin Koha dhe krijuesi, botimet “Rilindja”, Prishtinë, 1975. Disa vite më vonë A. Aliu botoi dhe monografinë Katër romane të Petro Markos, botimet “Flaka e Vllaznimit”, Shkup, 1979, në të cilën u bënë argument vëmendjeje romanet: Hasta la vista, Qyteti i fundit, Stina e armëve dhe Ara në mal. Për Petro Markon ka studime dhe në: Ali Aliu, Kërkime, Tiranë, 1990.

  7. Guna mbi tela u ribotua më vete më 1972. Ndërsa Niku i Martin Gjinit u ribotua si dramë një vit më vonë më 1973 dhe menjëherë u sekuestrua dhe u kthye në karton.

  8. Në konferencën Petro Marko - shkrimtari në tri kohë, në 100-vjetorin e lindjes, studiuesi Bardhosh Gaçe pohoi se ishte ai autori i asaj interviste të botuar më 1991 pa emër bashkëbiseduesi, për ta mbrojtur nga kundërveprimi i pritshëm.

  9. Njerëzit e Sigurimit i lidhën me litar të trashë tre fshatarë dhe i arrestuan… S’kaloi pak kohë dhe erdhi letra për t’u internuar familjarisht në Elbasan. Këtë ma komunikuan në Lidhje. I bëj një letër urgjentisht Hysni Kapos se ‘i hedh poshtë akuzat e komitetit të partisë të Vlorës dhe të organizatës së partisë në Dhërmi, se Petro Marko ka dalë mbi partinë etj. Në Elbasan vete vetëm i lidhur dhe jo i zgjidhur’. Përgjigja më kthehet: ‘Për të shlyer fajin të shkosh në Malësi dhe të shkruash një roman për kolektivizimin e bujqësisë”. Kështu lindi romani ‘Ara në mal’. Për lehtësi kjo intervistë mund të lexohet e ribotuar pa ndryshime në të përditshmen “Shqiptarja.com”, 26 nëntor 2013, me titullin: Intervista e fundit e Petro Markos: “Ja pse më urreu Enver Hoxha”.

  10. Për vlerësimin e kësaj vepre ndihmuan dhe miq të shkrimtarit, si poeti Fatos Arapi, i cili shkroi dhe botoi një artikull me vlerësime të larta për romanin. Në studime teorike vepra u bë madje dhe shembull se si ndryshe zhvillohet lufta kundër zakoneve prapanike në vendin tonë në histori dhe ndryshe në romanin e P. Markos ‘Ara në mal’. Shih: Alfred Uçi, Estetika, jeta, arti, Tiranë, 1970, f. 175.

  11. Megjithëse romani Ara në mal u bë pjesë e një historie zyrtare të studimit të letërsisë shqipe në tekstin akademik universitar Historia e letërsisë shqiptare, Tiranë 1983; vepra e Petro Markos qe vlerësuar qysh në vitin 1941, në Shkrimtarët shqiptarë, pjesa II.

  12. Në dokument romani përmendet me titullin Tre Gjikët, ashtu siç është dëgjuar nga informatori, dhe është fjala për romanin “Një emër në katër rrugë”, në atë kohë ende i përfunduar, botuar dhe ndaluar në vitin 1972. Ky roman është përmendur në korrespondencat zyrtare dhe me një titull tjetër, “Katër vetë në vetë të parë”. U ribotua më 2000 nga Omsca-1. Në fakt është “romani i “katër Gjikëve”: Gjikë Nina, Gjikë Mërtiri, Gjikë Argjiri dhe Gjikë Bua. Shih për më shumë dhe: Petro Marko, “Retë dhe gurët - intervistë me vetveten”, Tiranë 2002. Për ndalimin e këtij romani M. Shehu, në një letër informuese drejtuar E. Hoxhës, më 23.11.1973, shkruan: “Me shokun Hysni mbetëm dakord dhe kemi dhënë urdhër që libri i fundit i Petro Markos “Një emër në katër rrugë” … të mos e shpërndajmë, e kemi bllokuar … Kisha dëgjuar se ishte një roman shumë i keq. Por kur fillova ta lexoj vetë u binda se është një roman shumë i keq … Ky roman është “autobiografia” e Petro Markos, nën pseudonimin “Gjikë Bua”. Sipas këtij romani Petro Marko na paska qenë bolsheviku i parë dhe komunisti më i vendosur i Shqipërisë, ai paska hedhur farën e bolshevizmit në Shqipëri … Në vend që të demaskohet regjimi i Zogut si një regjim shtypës dhe shfrytëzues feudal e mesjetar, ai “demaskohet” për veprime të ndyta imoraliteti, që të vjen turp t’i zësh në gojë: vetëm në romanin e Sartrit “L’age de la raison” kam lexuar turpe të tilla … Prandaj ne vendosëm ta bllokojmë … Por, për të organizuar si duhet kontrollin e partisë dhe të shtetit mbi sektorin e letërsisë dhe arteve, bashkë me shokun Ramiz kemi hartuar një rregullore”. Shih për më shumë N. Hoxha, “Miqësi e tradhtuar”, Tiranë, 2004, f. 170-172. Do të ishte me interes të veçantë kërkimi, gjetja dhe publikimi i kësaj rregulloreje.

  13. Kjo mënyrë të projektuari të vetes tek tjetri të sjell ndërmend zbulimin që solli në antropologji Claude Levi-Strauss, në veprat Tropikë të trishtë dhe Mendimi i egër, të cilat sot konsiderohen si argumente të pakapërcyeshme për teoritë e hierarkive të qytetërimeve, mes tyre dhe të teorisë Clash of Civilisation të Samuel Huntington-it (The Clash of Civilizations?, published in “Foreign Affairs”, vol. 72, nr. 3, Summer 1993, pp. 22-49; Idem, The Clash of Civilizations and the Remaking of World Order, New York, Simon & Schuster, 1996; The Clash of Civilizations? - The Debate, New York, “Foreign Affairs”, 1996). Letërsia bashkëkohore postmoderniste e sheh daljen nga vetvetja dhe fshehjen në ligjëratën e karakterit si një prej mundësive shprehëse të pakonsumuara të saj.

  14. Shih për këtë: Dhurata Shehri, Kolektivizimi i subjektit lirik, botuar në: Letërsia shqiptare dhe realizmi socialist, “Studime albanologjike”, Tiranë, 2010, nr. 2, f. 87-88.

  15. “Në prakun e drejtimeve të rea letrare”. Ky është titulli i artikullit të parë të Petro Markos (nënshkruar: P.) në fushën e mendimit teorik-letrar, në të cilin letërsisë i njihet një shërbim, një mision ndaj popullit. Artikulli u botua në revistën “Bota e Re”, nr. 1, 1936.

  16. Shih edhe: Sonia Orwell & Ian Angus Ian (edits.): The Collected Essays, Journalism and Letters of George Orwell, Volume 4: In Front of Your Nose (1945-1950), publishing by Penguin. Gjithashtu: Vasily Rudich, Dissidence and Literature Under Nero: The Price of Rhetoricization, University of Michigan, first edition (1959).

  17. Shih shenjimin nr. 9 në këtë studim.

  18. Të gjitha citimet nga romani Ara në mal i referohen botimit të parë, shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1967 (viti sipas shenjimit të autorit në fund të tekstit).

  19. Ali Xhiku, Një pasqyrë e Shqipërisë letrare në vitet 1945-1961, dorëshkrim, Tiranë, 2010, f. 207-208, këshilluar e cituar me pëlqimin e autorit.

  20. Realizmi i thellë, i ashpër dhe i drejtpërdrejtë, ishte bindje krijuese e Petro Markos që në fillimet e krijimtarisë. Në Retë dhe gurët - intervistë me vetveten, duke përshkruar takimin e tij të parë me Migjenin në Shkodër, ai kujton se i kishte thënë: Millosh, ti shkruan errët dhe duhet të shkruash më hapur që të kuptohesh nga lexuesit. Ne duhet të shkruajmë më thjesht. Petro Marko, vep. e cit., Omsca-1, Tiranë, 2000, f. 167. Shih dhe: Petro Marko, Në klasë me Migjenin, botuar për herë të parë më 1961 dhe ribotuar në “Tirana observer”, nr. 194, 18 gusht 2007, f. 9. Gjithashtu: Milloshi - shoku ynë, ribotuar në “Drita”, 17 gusht 2003, f. 13.

  21. Petro Marko, Ara në mal, shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1967, f. 317: Këto fjalë të të plotfuqishmit i zemëruan pa masë tre burrat e fisit të Shimës. - Në qoftë se nuk e dënon ligji, e dënon kanuni! - tha ai që fliste. Cili kanun? - e pyeti i plotfuqishmi. - Kanuni i maleve tona, i nderit tonë!

  22. Rrëfim në të tashmen e përtashme ka vetëm në dy situate kalimtare, në fillimin e pjesës së parë dhe në fillimin e pjesës së dytë, ku narracioni zhvillohet në pikëvështrimin e anëtarëve të ekipit që dërgohet nga lart për kolektivizimin, f. 5-10 dhe 253-256.

  23. Dy, pra, ishin kategoritë e njerëzve që më pëlqenin: ata që shkruanin dhe ata që ishin revolucionarë. Petro Marko, Retë dhe gurët - intervistë me vetveten, Omsca-1, Tiranë, 2000, f. 84.

  24. Midis studimeve të karakterit monografik në universitete jashtë vendit përmendim: Greta Jani, Јазикот и стилот во делата на Петро Марко, докторска дисертација - Gjuha dhe stili në veprën e Petro Markos, tezë doktorature, Универзитет ‘Кирил и Методиј’, Филолошки Факултет ‘Блаже Конески’, 2012 година; Arbër Arapi, Partecipazione dello scrittore albanese Petro Marko (1913-1991) alla Guerra Civile Spagnola: tesi di laurea, Università degli Studi di Verona, 2008; Voluntarios de la libertad: Petro Marko, ‘Hasta la Vista’ y los Brigadistas albaneses en la Guerra Civil Española (Vullnetarët e lirisë: Petro Marko, ‘Hasta la Vista’ dhe vullnetarëve shqiptarë në luftën civile në Spanjë, me shumë autorë), Madrid, Agencia Española de Cooperacion Internacional para el Desarrollo, 2009.

  25. Drago Siliqi, Në kërkim të së resë, Tiranë, 2000, botim i “Sha Kartografike”. Këtu citohet sipas artikullit të botuar për herë të parë në “Drita”, 18 prill 1961.

  26. Papier écrit, accroché dans un lieu public, au moyen duquel se critiquent ouvertement les lacunes et les défauts de quelqu’un dans le travail.

Downloads

Published

2013-12-11

How to Cite

Sinani, S. (2013). Toka si kufi dhe metoda si kanon: Ara në mal i Petro Markos. Studime Filologjike, 1(3-4), 11–28. Retrieved from https://www.albanica.al/studime_filologjike/article/view/3396