Udha e njësimit të alfabetit të shqipes në një libër të shkruar me dije e dashuri
Abstract
Libri “Katër Kongrese Kombëtare për alfabetin e shqipes”, i studiuesit Arian Kadiu synon që të sjellë në një dritë të re, pa asnjë paragjykim e anësim rreth vlerës atdhetare, shkencore e praktike, që patën për gjuhën shqipe kongreset e alfabetit, si: kongresi i parë i njohur si Kongresi i Manastirit (1908), kongresi i dytë i njohur si Kongresi i Dibrës (1909) dhe dy data shumëkuptimplote dhe të rëndësishme jo vetëm për historinë e alfabetit të shqipes, por edhe për tërë mbarëvajtjen e shqipes e të kombit në mbarë hapësirat shqiptare.
Autori, në librin e tij, synon të bëjë një sintezë të krejt rrugës “kongresore” dhe demokratike e mbarëkombëtare, që e ka karakterizuar betejën e shkronjave shqipe, duke bashkuar në një trajtim të përbashkët e të ngërthyer natyrshëm katër kongrese a kuvende kombëtare shqiptare, ku është diskutuar dhe vendosur për alfabetin e njësuar të shqipes. Më saktësisht: Kongresin e Manastirit ose Kongresin e Parë (14-22 Nëntor 1908); Kongresin e Dibrës ose Kongresin e Dytë (23-28 korrik 1909); Kongresin e Elbasanit ose Kongresin e Tretë (2-6 shtator 1909) dhe Kongresin e Katërt të alfabetit ose Kongresin e dytë të Manastirit (2-3 prill 1910).
Qasja ndaj këtyre katër kongreseve të rëndësishme është bërë, duke u mbështetur në aspektin, kahun dhe vlerën historike, gjuhësore dhe sigurisht kombëtare të këtyre kongreseve.
Pra, kemi një libër me trajtime e synime historike të pa ndara nga ato gjuhësore, atdhetare, kombëtare, që argumenton, mbështet po edhe e rishikon e plotëson, ndonjëherë edhe saktëson e hedh poshtë qendrime ose pohime e vlerësime të njëanshme, të caktuara, të shprehura në botime të ndryshme kushtuar kongreseve të alfabetit të shqipes.
Në mënyrë të veçantë janë me vlerë shtjellimet dhe rivlerësimet e autorit për Kongresin e Dibrës, të cilit, me argumentimet që sjellë në libër, ia heq edhe mjegullnajën e cilësimet si “vepër e xhonturqve”. Autori, jo vetëm polemizon, por edhe argumenton e fakton, duke u mbështetur në të dhëna të besueshme (e të rëndësishme), se “Kongresi i Dibrës, me të drejtë duhet të vlerësohet dhe të quhet kongresi i vetëm mbarëkombëtar shqiptar”.



