Veçori psikologjike e sociale të servilëve

Autorët

  • Prof. As. Dr. Qazim Dushku

Abstract

Servilët janë grupi më i bezdisshëm dhe më i neveritshëm i shoqërisë. Pa bërë përgjithësime, servili, siç thotë profeti Muhamed, “…është njeriu më i lig, pasi jetën e tij e përdor për të bërë vepra të liga.” (Imami Vehbi Ismaili, “ Muhamedi, profeti Islam.” Prishtinë 1985, fq 100 – 1001).
Ajo që i veçon ata nga njerëzit e ndershëm, të shkolluar dhe të kualifikuar, punëtorë dhe fjalëpakë, është fakti se ata, në shumicën dërmuese, shfaqen si të tillë hapur para opinionit, pasi kur ekspozohen ndihen “më shumë krenar” para të tjerëve. Natyrisht në sensin më negativ të fjalës. Servilëve u qeshin më shumë sytë, bëhen më të gjallë dhe më dinamikë, motivohen së brendshmi për të bërë punë të liga, e tejkalojnë shkallën e vetëpëlqimit dhe të vetëvlerësimit, mundohen të imitojnë mënyrën e sjelljes dhe të komunikimit si shefi i tij aktual, ndodh që edhe flasin në emër të shefit dhe u premtojnë të tjerëve për zgjidhjen e një problemi që mund të kenë, pavarësisht se kryetari i tij nuk e ka dhe nuk mund ta ketë autorizuar atë. Edhe Zhosefi i Cvajgut është personifikimi i njeriu të ulët, me moral të deformuar dhe intrigues, njeri që transformohet e tjetërsohet në vartësi të kushteve dhe rrethanave që i leverdisin atij në tërësi dhe karrierës në veçanti, cinik i paparë, njeri që ka humbur çdo ndjenjë njerëzore, duke përfshirë edhe atë ndaj prindërve. Edhe për këtë personazh mund të thuash ç’të duash dhe nuk i ke shtuar asgjë, përveç se ia pasuron karakterin me të liga të vërteta. Ai paraqitet, sipas situatave që i interesojnë, edhe radikal, edhe kameleon, edhe servil, edhe lajkatar disi i veçantë, edhe renegat e dezertor, por edhe manipulator, edhe nuhatës i kthesave, edhe njeri i pazareve, tradhtar i shokëve dhe i idealeve. Në luftën mes radikalëve (midis Dantonit dhe Robespjerit, midis Heberit dhe Dëmulënit)“… prapë duhej marrë ana e dikujt, por Fusheja s’para ka qejf ta lidh veten përpara se përcaktimi i pozicioneve të bëhet i sigurt dhe me leverdi.
Ai e di se zgjuarsia e diplomatit qëndron në atë që, në momentin e vendin e duhur, duhet të jesh sa më larg disa ngjarjeve. Kështu vendos ta braktisë arenën politike të Konventës për sa kohë të vazhdojë lufta për t’u kthyer sërisht kur konflikti të jetë zgjidhur. Kur të kthehet ai, çështja e luftës do të jetë zgjidhur dhe ai do të mund të bashkohet i qetë e i sigurt me fituesin, me partinë e tij të përjetshme, me shumicën.”
Ky është personazhi i ndërrimit të lëkurës sa herë ia do interesi. Para interesit, lavdisë dhe fitimit fushetë e këtij tipi nuk ndalen, por intrigojnë, kurdisin prapaskena dhe punë të liga.
Servilizmi dhe bartësit e tij janë fatkëqij. Njerëzve të ndershëm dhe të moralshëm u vjen keq për ta, kur i shohin tërë ditën pas politikanëve dhe pushtetarëve aktualë dhe kur ata “ua rrisin vlerat” atyre. Vlera që ndoshta drejtorët apo shefat nuk i meritojnë. Këtë e di edhe servil vetë, pasi ai shkëputet menjëherë prej tij sapo atë e lëvizin.
Servili është nuhatës i mirë i situatave, pasi mendja e tij punon vetëm për përfitime pa kokëçarje, pa u lodhur, pavarësisht se mund të mos ketë asnjë meritë profesionale dhe sociale.
Bartësit e servilizmit janë jo vetëm të paaftë dhe tinëzarë, por edhe konformistë, pasi duan ta kenë mirë me të gjithë. Natyrisht me ata që kanë, sipas psikologjisë së tij, diçka në dorë. Ata kthehen në bartës të fjalëve dhe të sajesave. Për të fituar besueshmërinë e shefit ndjekin parimin “përça dhe sundo”.
Për interesat e veta meskine dhe për paaftësi, servilët kërkojnë ta kenë mirë me të gjithë grupet, pasi situatat mund të ndryshojnë. Ata janë me të gjithë dhe kundër të gjithëve. Nuk duan kokëçarje, duan të dinë çdo gjë që flitet e thuhet në ndërmarrje apo në institucion, merren me fjalë e transferim të tyre, duke i deformuar shpesh herë ato, çka është me rrjedhoja negative për grupin dhe punën e tij.
Për këto e të tjera arsye servilët janë të rrezikshëm për shoqërinë në tërësi dhe individin në veçanti. Ata janë miqtë e tu vetëm kur ke pozitë, kur ke diçka në dorë. Me t’u larguar nga karrigia shfaqen mosmirënjohës dhe e ndërrojnë pllakën nga ana e tjetrit, e atij që është veshur tashti me pushtet. Në këto kushte ata duhen njohur dhe pastaj injoruar. Ata nuk duhen dëgjuar dhe as përfillur. Për më tepër atyre nuk u duhet marrë asnjë mendim në konsideratë, asnjë opinion. Nëse sillemi e veprojmë ndryshe, intelektuali dhe politikani, kushdo qoftë ai, humbet diçka në vlerat e tij, prandaj sa më larg servilëve.

Keywords:

servilizmi, servilët, drejtorët, lajkat, psikologji

Downloads

Download data is not yet available.

References

  1. Imami Vehbi Ismaili, “ Muhamedi, profeti Islam.” Prishtinë, 1985.

  2. Dushku, Qazim: “Motivimi”, Enti botues poligrafik “Gjergj Fishta”, Lezhë, 2000.

  3. Stefan Cvajg, Zhoze Fushe, T. 1992.

  4. Fishta, Gjergj: “Gomari i Babatasit”, Shtëpia Botuese “Hylli i Dritës”, T. 1994.

Published

2024-01-16

How to Cite

Dushku, Prof. As. Dr. Qazim. 2024. “Veçori Psikologjike E Sociale Të servilëve”. Univers 16 (16):91-107. https://www.albanica.al/univers/article/view/3517.

Numër

Section

Studime