Shqiptarët, një racë e vjetër

Autorët

  • Astrit Hykaj

Abstract

Përgjatë gjysmës perëndimore të Gadishullit të Ballkanit, në Bosnjë, Serbi, Mal të zi dhe Shqipëri, janë gjetur mbetje të një race shumë të lashtë në shpella prehistorike. Kjo bashkësi primitive punonte bronzin me mjeshtëri, dhe ishin ndër të parët në Europë që filluan të përdorin hekurin. Origjina e tyre ka humbur bashkë me të shkuarën. Rreth vitit 600 p.e.s, ata u pushtuan dhe ka mundësi të jenë ndikuar nga Keltët e Veriut. Shqiptarët e kanë prejardhjen e tyre nga kjo përzierje kelto-ilire.
Në këtë mënyrë, shqiptari është banori më i lashtë i Gadishullit të Ballkanit. Fakti që u ka mbijetuar pushtimeve dhe sundimit romak, bullgar, serb dhe turk, duke ngelur plotësisht shqiptar, në mënyrë të mjaftueshme provon ndjesinë e thellë kombëtare të shqiptarëve. Asnjë pushtues nuk ka arritur ta ndryshojë. Si rrjedhojë, te shqiptarët, ne gjejmë shenja të zakoneve më të vjetra Europiane.
Sikurse malësorët skocezë, shqiptarët, ishin njerëz fisesh. Këto fise formuan dy grupe që në kohët e lashta të udhëhequra nga Prijës të ndryshëm. Këto dy grupe ne mund t'i gjejmë edhe sot si Geg në Veri dhe Tosk në Jug. Ata i përkasin të njëjtës racë dhe flasin të njëjtën gjuhë. Megjithatë, gegët jetojnë në toka më të ashpra, dhe përmes mburojave natyrore të maleve kanë arritur të ruajnë disa tipare më të vjetër sesa toskët e jugut.
Vendi u shkatërrua shumë gjatë luftës, megjithatë fshatra të tëra janë rindërtuar. Kështu që edhe njëherë shqiptari del me bagëti në stane me kullota të pasura. Dhe ndërkohë të gjitha prodhimet i dërgon në pazarin e Shkodrës.
Banorët e qyteteve kudo në Shqipëri, bëjnë një jetë ndryshe nga ajo e bashkëkombësve që jetojnë nëpër fshatra.
Banori i qytetit është në përgjithësi mjeshtër i zoti në punime zejtarie. Pothuajse të gjitha zbukurimet me ar në Ballkan janë punë e shqiptarëve. Veshjet mahnitëse të Oborrit Mbretëror Malazez, janë bërë nga rrobaqepës shqiptar. Gjithashtu pothuajse të gjitha punimet në argjend janë shqiptare ose me origjinë shqiptare. Ajo çfarë të shton kërshërinë është se shumica e ojnave të përdorura, janë shëmbëlltyre e zbukurimeve të gjetura në shpella prehistorike. Kjo tregon se qoftë ojnat qoftë zejtaria janë trashëguar nga Ilirët e Lashtë.
Nëpër qytete mund të gjesh kisha dhe xhamia.
Kur turqit më në fund pushtuan Shqipërinë në fund të shekullit të pesëmbëdhjetë, shqiptarët për vite me radhë ju lutën europianëve kristianë për ndihmë. Këtë ndihmë ata e kërkuan veçanërisht nga Venecia. Kjo ndihmë nuk erdhi kurrë dhe në shekullin e tetëmbëdhjetë, Islami filloi të përhapej në Shqipëri ashtu si edhe në vende të tjera të Ballkanit. Sidoqoftë, shqiptarët vendosen racën përpara besimit fetar dhe qoftë kristianët qoftë muslimanët luftuan së bashku kundër turqve për pavarësinë e tyre. Muslimanët shqiptarë nuk janë fanatikë: në përgjithësi muslimanët i përkasin sektit liberal të Bektashive.
Shqipëria ka një sistem arsimor të detyrueshëm për të gjithë fëmijët e moshave gjashtë deri në trembëdhjetë vjeç. Megjithatë, mungesa e shkollave e bën të pamundur zbatimin e plotë të ligjit. Gjithashtu mungojnë njerëzit me arsim të lart kështu që njohuritë e trashëguara brez pas brezi e zëvendësojnë hapësirën e lënë bosh.
Në Shqipëri mund të gjesh plot fshatarë të cilët mund të shërojnë sëmundje të ndryshme. Por atje mund të takosh edhe kirurg shumë të aftë. Ata mund të kryejnë operacione dhe e njohin shumë mirë trajtimin me anticeptik (dizenfektim). Në të vërtetë, kjo mënyrë operimi është përdorur në Shqipëri, shumë kohë më përpara se të njihej në Angli. Plagët janë shëruar me raki në vend që të lahen me ujë që kur s’mbahet mend. Ndonjë fshatar i mençur mund edhe të ngjisë një kafkë të dëmtuar nga ciflat e një gjyleje topi.
Një nënë shqiptare duhet të bëjë shumë gjëra. Asaj i duhet të gatuaj bukën e misrit, dhe pastaj ta pjekë në çerep nga poshtë dhe me saç nga sipër mbi të cilën hidhen plot gaca zjarri. Ajo e ruan me kujdes shpuzën dhe pasi ajo ftohet e përdor atë në vend të sapunit për të larë rroba të cilat zbardhen në mënyrë të mahnitshme. Drithi bluhet në mullinj të vegjël primitive me rrotulla druri që mund t’i gjesh pothuajse në çdo përrua. Nëna gjithashtu tjerrë leshin të cilin pastaj e dërgon në mullirin e shajakut ku dy çekiç të rëndë druri të vënë në punë nga rënia e lirë e ujit, e godasin dhe e shtrijnë duke e kthyer në shajak për tirqe.
Gjuha shqipe që flitet nga fushat e Kosovës deri në Gjirin e Artës, i ka çuditur gjuhëtarët. Ajo ka një gramatikë shumë të ngatërruar ariane dhe thelbi i kësaj gjuhe, pa dyshim është ilirishtja e lashtë, të cilën e flisnin si Aleksandri i Madh, ashtu edhe burrat maqedonas që e ndoqën nga pas. Këtë e pohon në shkrimet e tij Straboni në shekullin e parë të e.s duke shpjeguar se të dy palët flisnin të njëjtën gjuhë.
Çdo shqiptar qoftë musliman apo kristian, e çmon këtë gjuhë me kokëfortësi dhe ndjenjë deri në heroizëm. Serbët, grekët dhe turqit në mënyrë të dëshpëruar u përpoqën ta shkatërronin gjuhën shqipe. Serbët dhe malazezët grabiten shumë toka shqiptare dhe kurrë nuk i lanë shqiptarët të hapin një shkollë apo të botojnë një gazetë në gjuhën e tyre.
Kristianët e Shqipërisë së Jugut i përkasin Kishës Ortodokse të Lindjes. Njëherë këtu një prift Grek e mallkoi gjuhën shqipe dhe priftërinjtë e tjerë ortodoks u thonë njerëzve se është e kotë të luteni në gjuhën shqipe pasi që Krishti nuk e kupton atë. Turqit ndëshkonin me pesëmbëdhjetë vite burg këdo që mësonte apo shkruante gjuhën e “ndaluar”.
Megjithatë, shqiptari këmbëngulës dhe kokëfortë, shtypte librat jashtë dhe i sillte ato në Shqipëri me gjithë vështirësitë dhe rrezikun që e kërcënonte.
Shumë shqiptarë ranë dëshmorë për çështjen kombëtare dhe pas një kohë të gjatë ata dolën fitimtarë.

Keywords:

gjuha shqipe, lashtësia e shqiptarëve, lufta për pavarësi, gegët, toskët

Downloads

Download data is not yet available.

Published

2024-01-16

How to Cite

Hykaj, Astrit. 2024. “Shqiptarët, Një Racë E vjetër”. Univers 16 (16):265-69. https://www.albanica.al/univers/article/view/3580.

Numër

Section

Opinione