Arkivistika dhe sfidat teknologjike informatizimi i arkivave
Abstract
Zhvillimi i vrullshëm i teknologjive informatike dhe dixhitale ka përfshirë që në fillimet e veta edhe botën e dokumentacionit. Kjo ka bërë që të prodhohen dhe të shpërndahen instrumente kërkimi të informatizuar, të lehtë për t’u përdorur, por të rafinuar për nga struktura dhe funksionaliteti. Ky progres ka ushqyer shpresat për një instrument të ri kërkimi, që të jetë i aftë të krijojë një rrjet lidhjeje ndërmjet dokumenteve dhe burimeve referenciale, duke dhënë mundësinë e integrimit të njohurive dhe të ndërtohen lidhje ndërmjet entiteteve dokumentare të shpërndara: një sistem informativ kulturor i lehtë në përdorim, por me mundësi të pafundme, që do të mundësonte ndërveprimin ndërmjet sistemeve konjitive të realizuara sipas procedurave specifike dhe mbi bazën e traditave të ndryshme disiplinore. Çështja në fjalë nuk është në fakt, ashtu sikurse shumë besojnë me verbëri, tërësisht teknologjike, por është mbi të gjitha kulturore: pengesa e vërtetë e realizimit të integrimit ndërmjet burimeve dokumentare përbëhet nga metodologjitë specifike, me të cilat në rrjedhën e kohëve është munduar të bëhet i mundur aksesi i këtyre burimeve, secila prej tyre në mjedisin e saj disiplinor.



