H.Abdullah Zëmblaku, fetar dhe atdhetar i shquar
Abstract
Figura e atdhetarit, mesuesit, dhe propagaduesit të dalluar të fesë islame, vjershëtorit e veprimtarit të shquar social Sheh Hafiz Abdullah Zëmblaku merr një rëndësi të veçantë në kohën tonë. Kjo figurë shumë e dashur për njerëzit, kudo ku flitet e lexohet shqip e veçanërisht për besimtarët muslimanë, qëndron denjësisht përkrah mikut të tij të shquar, savantit Hafiz Ali Korça, të cilin Zëmblaku vetë e quante vëlla shpirtëror të tij. Por ndërsa për H.A.Korçën është shkruar diçka; emrin e tij e mban me krenari një medrese në Kavajë, madje është botuar edhe një monografi për jetën dhe veprën e tij, për H.A. Zëmblakun pak është folur e shkruar. Të gjithë e njohin "Mevludin" e tij të famshëm, i cili këndohet në raste festash ose përkujtimesh; njohim mjaft vjersha dhe libra bestare në gjuhën shqipe, të vlefshëm edhe sot, pas gati një shekull nga koha kur janë shkruar e botuar.
Hafiz Zëmblaku ishte njeri i ditur, shembull i durimit, model i këmbënguljes në punën për përhapjen e fesë së vërtetë dhe arsimin në shqip, në propogandimin e dashurisë për atdheun, diturinë e shkencën, për të vërtetën, paqen dhe mirësinë njerëzore.
Hafiz Abdullah Zëmblaku e quan veten me krenari "Shërbëtor i Kombit Shqiptar” dhe "Misionar dhe mësues i Fesë Islame". Këto cilësime qëllimlarta ai u përpoq t'i përmbushte me punë të palodhur gjatë gjithë jetës së tij të frytshme, duke shkruar e botuar mbi 30 libra, duke i rënë kryq e tërthor qyteteve e fshatrave të atdheut, për të predikuar falas besimin e vërtetë, diturinë, atdhetarinë, paqen, të vërtetën dhe progresin. Hytbet e mbajtura nga H.A. Zëmblaku janë model i shkëlqyer i zbërthimit të Kuranit Famëlartë dhe Haditheve të Pejgamberit (a.s.), shembull arsyetimi dhe gërshetimi me problemet e kohës dhe gjendjen faktike të jetës tek ne. Ai propagandonte harmoninë fetare në vendin tonë, duke porositur besimtarët që të respektojnë fenë e tjetrit në të drejtën e tyre dhe duke adhuruar fenë e vet, duke u thelluar në Librin e Shenjtë e Praktikën Pejgamberike.
Për të përjetësuar emrin dhe veprën e H.A. Zëmblakut, këto vite janë organizuar veprimtari përkujtimore-shkencore për nder të tij dhe veprës që ai la pas. Ai u nderua me Titullin “Qytetar Nderi” nga Komuna Pojan në Korçë, me nismën time dhe nën kujdesin e Kryekomunarit Alfred Berberi. Medreseja e re e Korçës mban emrin e nderuar të Sheh Hafiz Abdullah Zëmblakut. Mbase një monografi e posaçme do të ishte e vlerësuar dhe e mirëpritur prej të gjithëve.
Keywords:
fetar, atdhetar, Hafiz Abdullah Zëmblaku, misionar dhe mësues i fesë islame, shërbëtor i kombit shqiptarDownloads
References
-
Gjithë literatura e botuar nga H.A.Zëmblaku, e cila ndodhet në Bibliotekën “Thimi Mitko” në Korçë.
-
Revista “Njeriu”, nr.2(14), gusht 1943.
-
“Bilbili i Prillit”, prill 1928.
-
Revista “Zani i Naltë” nr.8, viti 1938.
-
“Mevludi Paq” - Nuri Ahmedia, viti 1931, botim i dytë.
-
“Bilbili Paq”, viti 1940, Përmbledhje vjershash më të mira.
-
“Bilbili Shpirtnor” viti 1936.
References
Gjithë literatura e botuar nga H.A.Zëmblaku, e cila ndodhet në Bibliotekën “Thimi Mitko” në Korçë.
Revista “Njeriu”, nr.2(14), gusht 1943.
“Bilbili i Prillit”, prill 1928.
Revista “Zani i Naltë” nr.8, viti 1938.
“Mevludi Paq” - Nuri Ahmedia, viti 1931, botim i dytë.
“Bilbili Paq”, viti 1940, Përmbledhje vjershash më të mira.
“Bilbili Shpirtnor” viti 1936.



