Lufta e Kosovës dhe bashkësia islame

Autorët

  • Ali M. Basha

Abstract

Realiteti historik dëshmon se gjatë gjithë shekullit të 20-të, një numër faktorësh si: Albanofobia dhe shfarosja e kulturës greko-sllave ndaj pjesës kryesore të kombit shqiptar; sistemi shkollor ateist-komunist në të gjitha territoret ku flitet gjuha shqipe, veçanërisht në Shqipëri, shkatërrimi i vlerave morale, shpirtërore dhe civilizuese gjatë periudhës ekstremisht të gjatë nga socializmi monist deri te anarkia pluraliste dhe barbaria që vuajti baza kulturore dhe ekonomike shqiptare në Kosovë nga militarizmi serb në Luftën Nacionalçlirimtare, kanë vepruar kundër unitetit të kulturës shpirtërore dhe materiale shqiptare. Kështu, në fund të shekullit të 20-të, kultura shpirtërore dhe materiale shqiptare u shfaq në një gjendje të mjerueshme, pa dinjitet, me pasoja të rënda për njësinë e kategorisë historike: kombin shqiptar.

Kombi dhe feja shkojnë së bashku. Pa liri politike dhe ekonomike, nuk ka liri fetare. Si rezultat, kemi zvogëlimin e ndërgjegjës kombëtare dhe, mbi të gjitha, degjenerimin dhe shkatërrimin e themeleve të moralit - fesë, e cila përbën thelbin e kulturës në të gjitha kombet e civilizuara. Dihet se "civilizimet asnjëherë nuk janë përplasur me njëra-tjetrën, as kulturat dhe besimet fetare. Është përplasur vetëm civilizimi dhe mungesa e tij, kulturat dhe mungesa e kulturave, besimi dhe mosbesimi, demokracia dhe fashizmi, liria dhe diktatura. Dhe kjo do të thotë përplasje midis të mirës dhe të keqes. Ku në fund e mira ka triumfuar”.

Pas ndryshimeve të mëdha dhe krijimit të rrethanave të reja në ish-Jugosllavinë, veçanërisht në Kosovë, në fillim të viteve ’90-të, Bashkësia islame e Kosovës shpalli pavarësinë e vet (1993), duke i paraprirë kështu Shpalljes së Pavarësisë së shtetit të Kosovës (2008). Kjo bashkësi ka qenë dhe është një institucion ekzekutiv i Kuvendit të Bashkësisë islame të Kosovës që mbikëqyr 21 qendra islame në gjithë Kosovën, administron Fakultetin e Studimeve Islame, medresenë e mesme “Alaud’din” me degët e veta, mbikëqyr xhamitë e shpërndara në gjithë territorin e Kosovës. Mundohet që me forcat e veta, të ofrojë gjithçka që posedon në lëmin humanitar dhe, përveç kësaj, këshillon e udhëzon banorët për të ndjekur rrugën e mirë, i nxit të jenë të fortë, të durueshëm në përballimin me armikun shekullor. Në kumtesën e saj kjo bashkësi, në ato kohë të vështira, ka bërë këtë deklaratë: “Megjithë insistimet tona disavjeçare që çështja e Kosovës të zgjidhet në mënyrë paqësore, sidomos nga shkurt-marsi i këtij viti e deri më sot, soldateska serbe bëri dhe vazhdon të bëjë gjenocid, spastrim etnik, plaçkit fshatra të tëra e më pas u fut flakën për të mbuluar krimet e veta primitive. . . Kryesia e Bashkësisë islame është e angazhuar që opinionin ndërkombëtar, e sidomos atë islam, ta njoftojë vazhdimisht për atë që po ndodh në Kosovë”.

Bashkësia islame e Kosovës është treguar aktive në angazhimin për kultivimin në shkallën më të lartë të tolerancës fetare dhe ndërfetare në jetën e njerëzve. Drejtuesit e UÇK-së kanë qenë shumë të interesuar e të kënaqur për ekzistencën në Kosovë të një kleri, i cili gjatë Luftës u pozicionua drejt, ndaj çështjes dhe interesit kombëtar. Kur besimtarët shikojnë së bashku myslimanët e katolikët, jo vetëm në takime por edhe në veprime për çështjen kombëtare, edhe ata, natyrisht, do të jenë së bashku.

Në periudhën që kalon Kosova, ka qenë fat që ka pasur klerikë të arsimuar edhe me kulturë të përgjithshme, të cilët i kuptojnë drejt situatat, dinë se çfarë kërkojnë dhe flasin me një zë të unifikuar. Në periudhën kur Kosova ka pasur më tepër se kurrë nevojë për njerëzit e vet, ata qenë në dispozicion të saj. Kjo bashkësi ka treguar angazhim për ruajtjen e pastërtisë së fesë islame, pa e ndarë vetëdijen fetare nga ajo kombëtare. Ajo ka treguar, gjithashtu, angazhim për pajtimin kombëtar, i cili është konsideruar si njëri nga detyrimet kryesore të kësaj bashkësie, para dhe gjatë Luftës së Kosovës. Kanë qenë prijësit fetarë, ata që shkonin në ballë për pajtimin kombëtar të kosovarëve, duke përgatitur terrenin për veprime të tilla si falje gjaqesh, grindje, mërina etj. Ata ishin pranë popullit kur ndodhte fatkeqësia për të dhënë kurajë se edhe për popullin e Kosovës, me shpresë të Zotit, do të vinin ditë të bardha. Angazhimi i prijësve fetarë për ngritje morale dhe zhvillim kulturor, si kusht për zhvillimin e virtyteve dhe të vlerave të përgjithshme, ka qenë një fushë tjetër ku janë aktivizuar me predikimet e veta prijësit e fesë islame.

Keywords:

Lufta e Kosovës, Bashkësia Islame, Identiteti kombëtar, Trojet shqiptare

Downloads

Download data is not yet available.

References

  1. Dr. Mustafa Ceriç, ”Besimi fetar, Populli, Atdheu. Feneri”, Tiranë, 2004.

  2. “100 ditët e Luftës në Kosovë – kronikë e ngjarjeve”, Botim i AIITC, Tiranë, 1999.

  3. ”Barbaria serbe ndaj monumenteve islame në Kosovë”, Botim i Bashkësisë Islame në Kosovë, Prishtinë 2000.

  4. Dr. Rexhep Boja – myfti i Kosovës, “Për një jetë të nesërme më të mirë”, Prishtinë, 2003.

  5. Dr. Muhamed Pirraku, “Për kauzën e UÇK-së. Prishtinë, 2006,

  6. Akademik Rexhep Ismaili, Kumtesë në simpoziumin ndërkombëtar “Religion und Kultur im albanischsprachigen Sudosteuropa”, organizuar në Vjenë nga 10-12 mars 2008, nga Fondacioni PROORIENTE.

Published

2024-05-21

How to Cite

Basha, Ali M. 2024. “Lufta E Kosovës Dhe bashkësia Islame”. Univers 11 (11):21-37. https://www.albanica.al/univers/article/view/4323.

Numër

Section

Studime