Mirësjellja gjuhësore dhe format e shprehjes së saj në shqipen e në italishten
Abstract
Ky studim, i ndërmarrë nga një studim doktorate me mëtime jo vetëm përshkruese, por edhe përqasëse e kontrastive të lëndës nga dy gjuhë në kontakt: të shqipes dhe italishtes, synon pikërisht të vërë në dukje se në çfarë mase e shkalle njohja dhe përdorimi i këtyre strukturave mund të jenë thelbësore për mbarëvajtjen e jetës në bashkësi dhe, për më tepër, sa dhe si këto struktura, ndonëse janë pjesë e së njëjtës hapësirë semantike, mund të diferencohen pjesërisht apo tërësisht nga një kulturë në tjetrën.
Mund të thuhet se çdo bashkësi gjuhësore përdor si mjete që hapin komunikimin shprehje, si: mirëmëngjesi ose mirëdita, mirëmbrëma; faleminderit, mirupafshim (përkatësisht në italisht: buongiorno, buonasera, grazie, arrivederci ose arrivederla ).
Pra, në këto raste shohim mënyra të thëni a struktura që ndryshojnë ndjeshëm nga kultura në kulturë.
Shpeshherë, dallimi i këtyre strukturave apo mënyrave të të shprehurit vërehet edhe nga një rajon në tjetrin, prandaj një studim i imët i tyre është frytdhënës në studimet etnologjike dhe gjuhësore, sigurisht duke njohur kurdoherë edhe situatat e ndryshme të komunikimit të një apo disa bashkësive shoqërore, qofshin këto kombëtare, etnike apo rajonale.
Por, deri më sot mungojnë studime përshkruese dhe krahasuese në fushën e etnografisë së komunikimit.
Më shumë sesa zbatimi rigoroz i një renditjeje të formave të mirësjelljes të një gjuhe, neve na u duk interesante kryerja e një studimi krahasues midis italishtes dhe shqipes, si dy gjuhë që, ndonëse nuk janë të një familjeje, sepse nuk kanë lidhje birërie me njëra-tjetrën, porse janë gjuhë europiane e me pikëtakime të hershme edhe si gjuhë në kontakt, kanë shumë forma të përbashkëta të të shprehurit, si nga këndvështrimi tipologjik, ashtu dhe për sa i përket etnografisë së komunikimit.
Ndërkaq, shqyrtimi i hapët i lëndës, qoftë në fushën e përshëndetjeve, qoftë edhe të urimeve, mallkimeve etj. na bën të mundur të shohim se ekzistojnë edhe shprehje e forma gjuhësore të mirësjelljes shumë të ndryshme ose ka të tilla që nuk gjejnë as përputhje, as motërzime në ndonjërën prej tyre.
Për shembull, në shqip ekzistojnë forma përshëndetjeje të tipit tungjatjeta (geg.: tungatjeta, t’u ng-jatjeta, tyetjeta ose thjesht tjeta; tosk.: tungjatjeta, tunjatjeta, njatjeta ), ose në formë të shkurtuar (tung) shumë e përdorur kohët e fundit në gjuhën e chat-it, struktura që në të vërtetë nuk ekzistojnë në italisht dhe, madje, as që mund të përkthehen dhe del e nevojshme të parafrazohen e të jepen me ndonjë përshëndetje tjetër.
Për më tepër, përderisa në italisht, në mbrëmje dhe përgjithësisht pas orës 18.oo, përshëndeten me "ciao, arrivederci, o buona serata", në gjuhën shqipe përdoret "natën e mirë", që i përgjigjet buonanotte në italisht.
Keywords:
komunikim, strukturat shprehëse, etimologji e komunikimit, forma të përshëndetjeve, mënyra të sjelljes gjuhësoreDownloads
References
-
Gjovalin Shkurtaj, Onomastike dhe etnolinguistike, ShBLU, Tirana, 2001.
-
M. Cortellazzo – P. Zolli, Dizionario etimologico della lingua italiana (DELI), 5 voll., Bologna, 1979-88.
-
Nino Arcuri, Il saluto e i suoi rituali dall’antichita’ ad oggi, in Quaderni di Semantica /a. XXI, n.1, giugno 2000.
-
Patrizia Perini, 1983, Struttura e uso di alcune formule di cortesia, in F. Orletti (a cura di), Comunicare nella vita quotidiana, Bologna, Il Mulino.
-
Otto Jespersen, The Philosophy of Grammar, 1924.
-
Erving Goffman, 1971b, Modelli di interazione, a cura di P.P. Giglioli, Bologna, Il Mulino.
References
Gjovalin Shkurtaj, Onomastike dhe etnolinguistike, ShBLU, Tirana, 2001.
M. Cortellazzo – P. Zolli, Dizionario etimologico della lingua italiana (DELI), 5 voll., Bologna, 1979-88.
Nino Arcuri, Il saluto e i suoi rituali dall’antichita’ ad oggi, in Quaderni di Semantica /a. XXI, n.1, giugno 2000.
Patrizia Perini, 1983, Struttura e uso di alcune formule di cortesia, in F. Orletti (a cura di), Comunicare nella vita quotidiana, Bologna, Il Mulino.
Otto Jespersen, The Philosophy of Grammar, 1924.
Erving Goffman, 1971b, Modelli di interazione, a cura di P.P. Giglioli, Bologna, Il Mulino.



