“Thesari arab” – një njohje e re e botës orientale

Autorët

  • Eduart Thartori

Abstract

Lindja e Mesme, brigjet mesdhetare dhe Orienti në përgjithësi, gjithmonë kanë qenë burim i pashtershëm i kulturës dhe i qytetërimit.
Në këto zona, kultura është aq e pasur, sa atë e gjen kudo.
E gjen te një bari dhensh, e gjen te një furrxhi, e gjen në gërmadhat e qytetërimeve të lashta. E gjen në poemat e Khajamit, Saadiut, e gjen në Uzbekistanin e largët, në Levantin ekzotik, e gjen në fabulat e Behlulit “budallait”, e gjen në folklorin arab dhe, sigurisht, ajka e këtyre urtësive gjendet në Kuran dhe në Hadithet e Pejgamberit (a.s).
Të gjitha këto urtësi tregojnë përvojën e gjatë njerëzore, marrëdhënien e njeriut me njeriun.
Në përgjithësi, librat që blejmë, zakonisht në librari, plotësojnë bukur një fushë të caktuar, një temë fikse. Veçse, kur kam kërkuar për të blerë një libër që të përmbledhë të gjitha temat e botës të realizuara, nuk kam pasur para, sepse do më duhej të blija vëllime të tëra, madje enciklopedi për të arritur t’i mbledh të gjitha këto njohuri njerëzore.
Atëherë zgjidhja e të gjithë dilemës sime ishte vetëm njëra: të gjej një libër i cili i përmbledh gjithë këto dituri. Si përfundim kam blerë një libër me fjalë të urta, sepse aty kam parë se ishin përmbledhur të gjitha njohuritë e botës.
Në fakt, këtë nuk e kanë arritur ta bëjnë profesorë të mëdhenj. Këtë nuk e kanë shkruar akademi të famshme. Atë e ka nxjerrë akademia e quajtur “gurrë popullore”. E ka thënë goja e një plaku të moçëm, i cili jeton diku në vatrën e nxirë nga tymi i një shtëpie të harruar në majë të malit. Ka qenë amaneti (porosia e fundit) që babai i ka lënë birit të tij para se të vdesë. Ka qenë sarkazma shumë e hollë e një njeriu, të cilin bota indiferente e ka llogaritur për të çmendur.

Libri që keni në duart tuaja sot, është një përpjekje e mençur e autorit të tij, të cilit i janë dashur vite të tëra mbledhje gojëdhënash dhe fjalësh të urta nga gurra popullore e vendeve të ndryshme të Orientit, ashtu sikur një mjek i shkathët bredh kodrave dhe maleve për të zgjedhur në mes të shkurreve dhe shkëmbinjve gjethet e bimëve mjekësore, me të cilat ai do të bëjë ilaçin e duhur për shumë sëmundje.
Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, ka arritur të sjellë vlera për lexuesin shqiptar. Zgjedhja e tij për të mundësuar botimin e këtij libri ka qenë shumë e goditur dhe kjo për të gjitha ato arsye që thamë më lart. Ky libër është botuar në shumë gjuhë të ndryshme të botës, madje edhe në gjuhën esperanto, një gjuhë kjo pak e njohur për publikun e gjerë.
Gjithashtu, dua të falënderoj autorin e këtij libri, z. Husejn Al Amily, dhe përkthyesin e tij nga gjuha esperanto, z. Bardhyl Selimi, për këtë punë kolosale që kanë bërë, duke i sjellë lexuesit shqiptar këto urtësi jashtëzakonisht të koncentruara orientale. “Thesari i parasë të fryn xhepin, ndërsa Thesari i fjalës të shton vitet”.

Keywords:

libra, gurra popullore, Lindja e mesme, njohuritë e botës, folklor arab

Downloads

Download data is not yet available.

Published

2024-05-07

How to Cite

Thartori, Eduart. 2024. “‘Thesari arab’ – Një Njohje E Re E botës Orientale”. Univers 13 (13):266-67. https://www.albanica.al/univers/article/view/3920.

Numër

Section

Botime në fokus

Similar Articles

<< < 10 11 12 13 14 15 16 17 > >> 

You may also start an advanced similarity search for this article.