Dervish Shaqa - Thesar i kulturës popullore shqiptare

Autorët

  • Prof. Dr. Ramazan H. Bogdani

Abstract

Gjatë muajit korrik 2002, më vjen në zyrën e Institutit të Kulturës Popullore z. Jetish Kadishani, kosovar nga Prishtina, punonjës në Bibliotekën e Kosovës - Prishtinë.
Siç më tregoi vetë, ai po mblidhte materiale të ndryshme për figurën e bartësit të shquar Dervish Shaqa, i ndarë nga jeta më 11 prill 1985.
Dervish Shaqa është larguar ilegalisht nga Kosova në vitet ‹55 të shek. të kaluar dhe ka banuar në fshatin Rrashbull të Durrësit.
Eshtë bërë i njohur si rapsod popullor, posaçërisht si këngëtar me grupin kosovar të folklorit të Rrashbullit.
Ai, së bashku me rapsodin Demush Neziri, u bënë bërthama e atij grupi që do të tërheqin vëmendjen dhe admirimin e vendit kryesisht nëpër skenat e festivaleve folklorike kombëtare të organizuara në Gjirokaster, më 1968, 1973, 1978 dhe 1983.
Dervish Shaqa ka qenë një subjekt interesant, i vlerësuar së shumti në Institutin e Kulturës Popullore, veçanërisht nga studiuesi i shquar Qemal Haxhihasani.
J. Kadishani më kërkoi të jepja një intervistë (të incizuar) për D. Shaqen, të cilën edhe e botoi në dy numra në gazetën ‹›24 orë››, Prishtinë - Kosovë, më 28 dhe 29 gusht 2002.
Më tej për bacë Dervishin do të theksoja se ndër këngët që këndonte, për zemër e për shpirt, siç u tha më lart, kishte këngët epike kosovare, të cilat u bënin jehonë luftërave të pandërprera të popullit shqiptar ndaj turkut, serbit dhe më gjerë.
Ai kishte një veti që këngët dhe çdo përmbajtje të një kënge jo vetëm që i dinte të gjitha përmendësh, por ishte në gjendje ta interpretonte me atë mendësinë popullore duke i dhënë vlerat e duhura.
Por ai i këndonte edhe këngët "e buta", me atë lirizëm të kulluar, gjë që mishëroheshin nga ato zëra kaq të bukur të Llukës së Epërme dhe përgjithësisht të Rrafshit të Dukagjinit.
Ai njëherësh ishte edhe një instrumentist dhe ne e kemi regjistruar qoftë me çifteli, qoftë me fyell, dhe në mënyrë të veçantë me sharki.
Kam pasur rastin të shkoj herë pas here në Kosovë, nëpër familje të ndryshme fshatare e qytetare dhe kam vërejtur se rrallë ndonjë shtëpi të mos e ketë një kasetë me këngë të Dervish Shaqes. Siç kam përjetuar, ata e ruajnë atë si një relike, si një vlerë të çmuar e fondit të tyre. Dhe nëpërmjet asaj kënge të Dervish Shaqes ata sikur përjetohen, ndaj ndiej dhimbje të madhe që Baca nuk arriti ta shoh këtë ditë të bardhë të sotme, të cilën ai e priti me një përmallim të madh, ditë për të cilën ai jo vetëm u përpoq, por luftoi në kuptimin e vërtetë të fjalës. Dhe nuk e përdori këtu në Shqipëri, se nuk ishte rasti që baca të luftonte me armë, por ai ka luftuar me këngën e shpirtit të tij, që Kosova të shohë dritë sa më të bardhë.
Kosovë e Shqipëri, Shqipëri e Kosovë, ai gjithmonë i donte dhe thoshte: "Për mu' jan’ nji dhe nuk bahen dy!".

Keywords:

Dervish Shaqa, Kosova, folkloristikë, këngë

Downloads

Download data is not yet available.

References

  1. Qemal Haxhihasani, Nekrologji: “Dervish Shaqë Muça – Rapsod i shquar i këngës popullore”, “Kultura popullore”, Tiranë, 2/1985.

  2. Ekspedita e Kosovës, 20 janar - 20 shkurt, 1972 (Arkivi Vetjak i Autorit).

Published

2024-05-07

How to Cite

Bogdani, Prof. Dr. Ramazan H. 2024. “Dervish Shaqa - Thesar I kulturës Popullore Shqiptare”. Univers 12 (12):48-55. https://www.albanica.al/univers/article/view/4110.

Numër

Section

Studime