Gjuha e veprimtarive fetare si pjesë përbërëse e kulturës së gjuhës

Autorët

  • Prof. Dr. Njazi Kazazi

Abstract

Stili i veprimtarisë fetare, nga studiues të fushës së stilistikës dhe pragmatikës, klasifikohet si pjesë përbërëse e stileve funksionale të gjuhës shqipe, krahas stileve të veprimtarive shkencore e teknike, shtetërore-administrative, shoqërore-politike dhe letrare-artistike.
Pa u zgjatur në cilësitë e këtij stili, theksojmë se “Para së gjithash, tekstet fetare në gjuhën shqipe e kanë zanafillën te një përkthim, domethënë duke ndjekur një gjuhë të shkruar të huaj tashmë me formulime tradicionale të paprekshme”.
Si rrjedhojë e ndryshimeve në grupmoshat që ndjekin këto veprimtari, por edhe me formimin e një brezi të ri klerikësh a predikuesish, pas viteve ’90 të shekullit të kaluar, gjuha e ligjëratave fetare ka ardhur duke u pastruar nga fjalët e huaja, proces që sipas gjuhëtarëve ka filluar prej kohësh.
Kështu, Prof. Shaban Demiraj thekson se “… huazimet prej burimi turk, arab e persian, që kanë hyrë në shqipe gjatë shekujve, …qysh nga fundi i shekullit XIX e këtej kanë ardhur duke u pakësuar.”
Për të konkretizuar këtë ide po sjellim disa fjalë që tani i dëgjojmë dendur në bisedat jo vetëm të klerikëve, por edhe në gjuhën e përditshme të njerëzve dhe që janë pronë e tyre, si: fe, religjion për Din; jeta pas vdekjes për ahiret; urtësi për hiqmet; trashëgimi për miras; dritë për nur, dëm për zarar; vasë për ligjëratë; gabim ose mëkat për gjynah; njeri i mirë, i shenjtë për evlija etj., etj.
Është e nevojshme të theksojmë se të gjithë autorët e mevludeve kanë qenë personalitete në fushën e arsimit e kulturës, e pakta medresistë, por edhe me universitete të mbaruara në Lindje; poliglotë, autorë tekstesh, gramatikash e fjalorësh; publicistë e poetë; mendimtarë dhe filozofë; atdhetarë dhe qytetarë në kuptimin e plotë të këtyre fjalëve, që normalisht niseshin në punën e tyre nga qëllime të larta morale, atdhetare dhe islame.
Për këtë fakt, gjuhëtari i njohur prof. Xhevat Lloshi ka shkruar: “Nivelin e dytë e përfaqësonin njerëz me arsim të lartë musliman që kishin mbaruar shkollat jashtë, që shërbenin në medrese, në teqe dhe në poste të larta administrative. Këta njerëz të shquar zotëronin mirë arabishten e persishten, duke pasur kështu mundësi të njiheshin me literaturat përkatëse dhe me shkrimet e shenjta islame. Kjo ishte baza e atij prodhimi letrar, të njohur si rrymë e bejtexhinjve, që lulëzoi në Shqipëri në shekujt XVIII e XIX… Kjo ishte një kulturë elitare e mbështetur po ashtu në dygjuhësi, por tashmë në dygjuhësi në nivelin kulturor. Rryma e bejtexhinjve në këtë mënyrë mund ta hapte shtegun për përkthime nga arabishtja, d.m.th. edhe të Kuranit.”
Gjuha e tyre është e zgjedhur, me vlera shprehëse të jashtëzakonshme. Për ilustrim po sjellim vetëm dy vargje. Autori nuk thotë shërbet i freskët, as i ftohtë si bora, por “ma i ftoht’se bora, ma i bardh, ma i ambël se sheqeri përnjimend”.
Në përfundim theksojmë se vitet e fundit, pas një periudhe ateizmi të imponuar, si rrjedhojë e kushteve të reja të praktikimit të veprimtarive fetare dhe lirisë së besimit, si një ndër të drejtat themelore të njeriut, herë pas here, nga studiues të ndryshëm është bërë objekt studimi stili fetar dhe i veprimtarive fetare, por në të ardhmen, shpresojmë dhe besojmë se do të thellohen studimet në këtë fushë.

Keywords:

Stili i veprimtarisë fetare, gjuha fetare, huazimet gjuhësore, mevlude

Downloads

Download data is not yet available.

References

  1. Bibla: shkrimi shenjt- Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e Re, përkthyer dhe shtjelluar nga dom Simon Filipaj, Ferizaj, 1994.

  2. Drita e Zemrës dhe Jasini. Përgatiti: Dr. Ramiz Zekaj dhe ShB “Furkan ISM”. Shkup, 2001.

  3. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë: Bibla shqip dhe tradita/ akte të Seminarit Shkencor (Tiranë 24.05.2004). Botimet Toena. Tiranë, 2004.

  4. KURAN-I, Përkthim me komentim. Përktheu dhe komentoi: H. Sherif Ahmeti. Roma 1990.

  5. KURAN-I me përkthim dhe sqarime shqip. Përktheu: Dr. Feti Mehdiu. Logos-A, Shkup, IHH, Stamboll, 1999.

  6. KURANI I MADHËRUAR. E përktheu nga arabishtja Prof. Hasan ef Nahi. Prizren, 2000.

  7. Luli, Faik; Dizdari, Islam: Mevludet në gjuhën shqipe. Shtëpia botuese “Camaj-Pipa”. Shkodër, 2002.

  8. Luli, Fran: Fjalor biblik dhe i termave kishtarë. Shtëpia botuese “Camaj-Pipa”. Shkodër, 2004.

  9. Lloshi, Xhevat: Stilistika dhe pragmatika. Botimet Toena. Tiranë, 1999.

  10. Shujta shpirtërore / Libër uratësh / Përpiloi Dr. Gasper Gjini/ Botimi i tretë. Drita. Ferizaj, 1991.

Downloads

Published

2024-05-07

How to Cite

Kazazi, Prof. Dr. Njazi. 2024. “Gjuha E Veprimtarive Fetare Si Pjesë përbërëse E kulturës Së gjuhës”. Univers 12 (12):173-79. https://www.albanica.al/univers/article/view/4309.

Numër

Section

Art, Traditë dhe Kulturë