Relacion mbi gjendjen e Shqipërisë dhe të Serbisë, të vizituara nga Vincenc Zmajeviç, arqipeshkv i Tivarit, në vitin 1703

Autorët

  • Sherif Delvina

Abstract

Të dhëna të përgjithshme të gjendjes së Shqipërisë dhe të veprimtarisë së Imzot Vincenc Zmajeviç, Arqipeshkëv i Tivarit, Vizitor Apostolik i Shqipërisë.
Në fillim të këtij relacioni, arqipeshkvi i Tivarit, Vincenc Zmajeviçi, jep shtrirjen detare të Shqipërisë, që nis nga Pastroviçi, kufiri i fundit i Republikës së Venedikut dhe mbaron te Gjiri i Ambrakisë.
Autori na bën të ditur se të krishterët e këtij vendi pjellor do të gëzonin tërë të mirat e kësaj bote, po të mos u binin në qafë me taksa të rënda turqit. Prandaj, vijon ai, ata kanë humbur dashurinë për kultivimin e tokës, mjeti i tyre i vetëm i jetesës, duke mbajtur kështu pjesën më të madhe të tokës të papunuar.
Nga këto taksa, kombi është plagosur në pjesën e tij më të dobët, atë të interesit, ndaj të cilit është veçanërisht i prirur ky komb nga ana e karakterit të tij ose nga nevoja. Për shkak të këtyre taksave, mendon autori, u bënë kthimet nga feja katolike në atë muslimane dhe, çka është më e keqe, humbëm dymijë veta që u kthyen në muslimanë për t’u shpëtuar taksave.
Në kohën kur erdhi për inspektim Vincenc Zmajeviç, një pjesë e mirë e Shqipërisë qeverisej prej Oda Verdi Mahmut Begolli nga Peja.
Pashai në fjalë e priti mirë arqipeshkvin e Tivarit.
Këtij i bëri mjaft lëshim edhe në uljen e taksave, të cilat, në një pjesë të Shqipërisë, kapnin shumën e 350 zekineve venedikase.
Po ashtu, ai lëshoi një dekret, në të cilin thuhej: “…Të gjithë zëvendësit e mi që do të gjenden në vasalitetet e Shkodrës dhe të Dukagjinit, të mos u krijojnë telashe ipeshkëve dhe priftërinjëve. Të gjithë këta gëzojnë të drejtën e plotë të mësojnë të krishterët pa pasur kundërshtimin e kurrkujt. Ata mund të shkojnë kudo për të vizituar të krishterët dhe të kryejnë të gjitha veprimet që urdhëron ligji i tyre. Për këtë qëllim kam shkruar këtë urdhër, duke ia dhënë arqipeshkvit, mikut tonë të mirë, dhe, kudo që do të paraqitet urdhri, të gjithë duhet t’i binden!”
Mirëpo arqipeshkvi i Tivarit, pasi e lavdëron këtë pasha, në relacionin e tij pohon se ky nuk dukej si turk (shqiptar musliman), por si i krishterë zemërbardhë që nuk kishte asgjë prej barbari, veçse emrit të tij.

Keywords:

Shqipëri, Serbi, Vincenc Zmajeviç, arqipeshkv, Tivar

Downloads

Download data is not yet available.

Published

2024-05-07

How to Cite

Delvina, Sherif. 2024. “Relacion Mbi Gjendjen E Shqipërisë Dhe Të Serbisë, Të Vizituara Nga Vincenc Zmajeviç, Arqipeshkv I Tivarit, Në Vitin 1703”. Univers 12 (12):249-63. https://www.albanica.al/univers/article/view/4317.

Numër

Section

Dokumente