Çeta e studentëve shqiptarë të Selanikut
Abstract
Një ndër botimet me interes, që pasqyrojnë përpjekjet e pareshtura dhe vetëmohuese të popullit dhe sidomos të rinisë sonë, në luftën shumëvjeçare për lirinë e pavarësinë e atdheut, kundër sundimit shekullor otoman, është dhe libri i shkruar nga Lekë Zezaj. Ai mban titullin: "Çeta e studentëve shqiptarë të Selanikut", publikuar në Tiranë në vitin 1944, nga Shtypshkronja "Atdheu".
Ishte periudha, kur e gjithë Shqipëria ndodhej në një situatë "si kazan, që ziente".
Që nga Preveza në Tivar, nga Shkupi në Adriatik, kudo ku flitej shqip, të gjithë ishin gati, me armët në dorë, kundër sundimit të Perandorisë Otomane. Shqiptarët kërkonin me ngulm e vendosmëri: “Liri dhe vetëqeverim!” Por jo me lutje e paqe, por me armët ngjeshur, se ishin lodhur pa masë në rrugën e parë.
Prandaj Stambolli nisi një operacion të gjerë kundër shqiptarëve "të pabindur", i cili kryesohej nga gjenerali gjakatar Shefqet Turgut Pasha.
Synimi i tij kryesor ishte që ta nënshtronte me çdo kusht mbarë Shqipërinë, sidomos Kosovën kryengritëse.
Në qershor 1912, në Selanik ishte hapur dhe "Klubi i Bashkimit", ku mblidheshin shqiptarët e atij qyteti.
Klubi kryesohej nga atdhetari i njohur nga Kosova, mësuesi i shqipes në Normalen e Shkupit dhe veterani i arsimit tonë kombëtar, Sali Gjuka-Dukagjini (tani “Mësues i Popullit”), më vonë delegat aktiv në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, që shpalli Pavarësinë.
Klubi ishte i vogël, se i tillë ishte dhe numri i shqiptarëve aty. Vetëm studentët, nja 15 të tillë, formonin diçka më kompakte. Megjithatë, ky klub zhvilloi veprimtari të dukshme e frytdhënëse. Pra dhe studentët nuk mund të rrinin të qetë, në këto kushte. U lëshua njëzëri thirrja prej tyre: "Duhet të dalim maleve, o shokë! Të shkojmë atje, ku luftojnë dhe vriten vëllezërit tanë. Në Kosovë, në kryengritje, të luftojmë me armë në dorë!"
U vendos që ata ta linin shkollën përgjysmë, të vishnin opingat dhe të dilnin në male, me pushkët në krah. Por ata nuk kishin armë as para.
Në këto kushte, kryetari i klubit, Sali Gjuka mendoi të gjente një rrugëzgjidhje, që autori i librit e vlerëson kështu: "Kjo mendje e shqetësuar dhe ky idealist, që s'e kishte shokun".
Ndërsa më poshtë vijon: "Gjersa shokët po trishtoheshin, duke parë se ndodheshin përpara pengimesh të mëdha, shumë më të mëdha se fuqitë e tyre, Sali Gjuka po e forconte bindjen e tij se ndërmarrja do të dilte me suksesin e shpresuar. Ai kish planin e tij, por kish sidomos vullnetin dhe besimin në çështje".
Kështu, studentët shqiptarë u nisën kryelartë e të vendosur, për ta kryer misionin e tyre atdhetar. U caktua rruga e lëvizjes: Selanik-Pire-Korfuz-Tivar. Në pikëmbërritje do t'i prisnin njerëz të Hasan Prishtinës, me të cilët kishte biseduar vetë Sali Gjuka. Për nisjen e çetës nga Selaniku i ndihmoi roja e konsullatës austriake aty, shqiptari Hasan Qinami. Ky i hipi në një vapor austriak dhe osmanët nuk mund t'u bënin gjë. Kënga i shoqëroi kudo, sikur shkonin në ndonjë festë. Jehonin me zjarr fjalët e këngës: "Për Mëmëdhenë, për Mëmëdhenë,/ vraponi, burra, se s'ka me pritë!".
Në kushtet e reja, që u krijuan, siç përshkruhet në librin e autorit Lekë Zeza, u vendos që kjo çetë luftarake e studentëve përkohësisht të shpërndahej. Ata shkuan në Manastirin e Cepos dhe bashkë me atdhetarë të njohur nga Gjirokastra, Delvina, Kurveleshi etj., festuan suksesin e arritur deri atëherë. U mbajtën fjalime të zjarrta, ku studentët i kujtonin popullit se nuk kishte rrugë tjetër, veç: "Ja vdekje, ja liri!".



