Udhë të mbarë kolanës etnokoreogfrafike të prof. R. Bogdanit
Abstract
Kohët e fundit, nga një kolanë botimesh etnokoreografike doli nga shtypi vëllimi I “Etnokoreografi” me autor prof. dr. Ramazan Bogdani. Ky vëllim përfshin lëndën e pasqyruar në një hapësirë 15-vjeçare, nga 1965- 1979.
Gjithashtu, në këtë libër janë publikuar edhe 34 artikuj të mëvetshëm, shumica e të cilëve shohin dritën e botimit për herë të parë.
Pra, lënda e këtij vëllimi vjen nga dy drejtime kryesore:
Së pari, nga artikuj të botuar, që kanë marrë një dimension të ri, përcaktuar nga ngjeshja e lëndës apo pasuruar me detaje të patrajtuara më parë;
Së dyti, nga artikuj që publikohen për herë të parë, të cilët nuk janë botuar për arsye të ndryshme.
Në rrafshin e trajtesave të raporteve të lëndës midis arealit të tradicionales dhe bashkëkohores, përparësi ka e para, si më e hershme për nga tharmi popullor dhe origjinaliteti i spikatur. Për këtë gjykojmë se është pasur parasysh edhe parimi metodologjik se, studimi i së hershmes i shërben edhe të tashmes edhe të ardhmes.
Artikujt e këtij vëllimi ceken përgjithësisht sipas disa grupimeve specifike. Këto vijnë nga:
1) Gjurmimet e ekspeditave në terren.
2) Festivalet folklorike lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare.
3) Instikte njësish koreografike.
4) Refleksione kumtesash.
5) Referime relacionesh.
6) Koleksione dokumentacionesh.
7) Makroartikuj studimorë.
8) Ngrehinë vëllimesh etnokoreografike.
Emrat e bashkautorëve dhe bashkëpunëtorëve të artikujve përkatës dhe organeve botuese, sigurisht që citohen veçmas në çdo artikull, sikundër po kështu veprohet edhe për të tjerët me karakter vetjak, që përbëjnë shumicën në këtë vëllim. Këtu ka vend të vlerësohet puna e madhe dhe e përkushtuar, që ka kryer Sektori i Teknikës së IKP-së, në drejtim të zbardhjeve muzikore, filmike dhe pjesërisht fotografike të disa proceseve të karakterit laboratorik.
Ashtu si edhe në botimet e tjera që mbajnë për autor profesor Ramazan H. Bogdani, një vend i veçantë i kushtohet edhe përmbledhjes në gjuhën angleze. Kjo mundëson që vlerat e kulturës popullore shqiptare të njihen dhe të bëhen pasuri edhe e studiuesve dhe bibliotekave të vendeve të ndryshme të botës, me të cilat autori mban një korrespondencë të rregullt.



