Probleme aktuale të shqipes sot
Abstract
Shqipja vijon të jetë nën trysninë e shkruesve dhe folësve të pakujdesshëm. Shteti dhe institucionet publike që varen ose lejohen prej tij duhet të kenë më shumë dashuri e kujdes për gjuhën që përdorin. Ka ardhur koha që normëshkelësit të përgjigjen për dëmin që i shkaktojnë gjuhës shqipe.
“Malli” për fjalët e huaja të panevojshme është bërë ndër ne si një sëmundje ngjitëse që po merr përmasat e një epidemie gjuhëvrasëse. Kritikat e gjuhëtarëve dhe të dashamirëve të shqipes sikur bien në veshë të shurdhët. Deri edhe në librat mësimorë të shkollës së lartë përvidhen gabime trashanike. Kjo duhet të marrë fund, përndryshe gjuha do të pësojë dëmtime të pandreqshme.
Kujdes më i madh duhet bërë veçanërisht për shqipen e shkruar, për botimet me karakter zyrtar e publik. Dikur thuhej me të drejtë shprehja latine “Verba volant, scripta manent” (Fjalët e thëna fluturojnë, të shkruarat mbeten), çka përligjte atë përkujdesje shumë më të madhe që i takonte më parë gjuhës së shkruar, në krahasim me të folurën.
Kjo thënie urtake e latinëve të mençur mbetet me vlerë edhe për kohën tonë, porse ajo edhe duhet plotësuar me kundrimin se në kohët e reja, sidomos qëkur kanë ardhur në “pushtet” mediat pamore-dëgjimore (radioja dhe televizioni, magnetofoni, videokaseta, disqet e incizuara etj.), duhet të themi se edhe fjala e folur “nuk fluturon”, por mbetet e fiksohet njësoj, madje edhe më shpejt sesa fjala e shkruar. Fjala e folur në mjedise të tilla si skena e teatrit, filmi dhe radioja e televizioni duhet të jetë cilësisht e ndryshme nga fjala e zakonshme, nga të folurit e shkujdesur të njerëzve të thjeshtë.
Anglishten dhe gjuhët e tjera do t’i mësojmë sa më mire, por edhe shqipen ta mbrojmë e ta ruajmë.
Vitet shkojnë me shpejtësi, por hallet e shqetësimet e shqiptarëve nuk shterojnë. Midis tyre (dhe ndoshta për sherr të tyre), ka shumë vjet që është lënë pas dore gjuha shqipe e shkruar dhe e folur. Të gjithë janë të drithëruar e të dhënë me mish e me shpirt pas mësimit të gjuhëve të huaja, sidomos të anglishtes dhe bëjnë mirë, por gati askush nuk shqetësohet për gjuhën shqipe, për kulturën e saj shkrimore në rënie dhe për nëpërkëmbjet e qëndrimin e pandërgjegjshëm të mediave të shkruara e të folura ndaj saj. Gjuhëtarë, përkthyes dhe arsimtarë dashamirë e mbrojtës të shqipes kanë shkruar e vijojnë të kritikojnë gabimet e qëndrimet që dëmtojnë shqipen, porse ato duket se bien në veshë të shurdhët.
Politikanët janë ata që japin më së shumti shembullin e keq në përdorimin e fjalëve të huaja të panevojshme. Fill pas tyre vijnë gazetarët dhe analistët, të cilët, nganjëherë si pasojë e përsëritjes së papeshuar e të pamenduar të asaj që dëgjojnë a regjistrojnë nga bisedat apo shkrimet e politikanëve e shtetarëve, po më shumë edhe nga mendja e qëndrimi i tyre i pandërgjegjshëm, nga nguti e mosnjohja e shqipes dhe e fjalorit të saj, lëshojnë përbindshërira siç është, ndër të tjera, i famshmi ”komisioni bipartizan”, në vend të “dypalësh, i dy partive, dypartiak a prej dy partish”. Dhe, për ironi të madhe, kjo fjalë vijon të mbetet në përdorim si grami i keq që mbin në ara, pavarësisht nga kritikat e përsëritura që kemi bërë pikërisht për atë hibrid përbindshëror. Kështu, nga padija e pakujdesia e disa prej atyre (qofshin politikanë apo gazetarë) që i lëshojnë për herë të parë nga goja, fjalët dhe termat e huaj vijnë e bëhen si orteku që nuk e ndalon dot.
Mbrojtja e gjuhës u përket në radhë të parë shtetit dhe institucioneve shtetërore e shoqërore që varen a lejohen prej tij. Në çdo vend të qytetëruar ka ligje për mbrojtjen e gjuhës dhe shteti merr masat e nevojshme për studimin e mësimin e saj në shkolla si dhe për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar në të gjithë praktikën shkrimore e botuese zyrtare. Vetë sinonimi i gjuhës letrare të njësuar është cilësimi i saj si standard apo zyrtare.
Janë botuar shumë studime e ndihmesa për pastrimin e pasurimin e gjuhës, botohen rregullisht edhe revista "Gjuha jonë" në Tiranë dhe "Gjuha shqipe" në Prishtinë, janë botuar edhe përmbledhje e libra me vërejtje kritike për gjuhën e shtypit e të mediave, si dhe një "Fjalor për pastërtinë e gjuhës shqipe" (Tiranë, 1998), mirëpo ata që duhet t' i këndojnë e t' i kenë përherë mbi tryezat e punës, as që duan t' ia dinë për to. Shkaku kryesor është se gjatë viteve të fundit kujdesi i shtetit dhe i institucioneve shqiptare për gjuhën ka rënë së tepërmi.



