“E shkruar” baras me “e folur”?!
Abstract
Në ditët e sotme, nëse fokusohemi në gjuhën shqipe dhe përdorimin e saj në media apo në të folurin e përditshëm, ndeshemi hera-herës me fjalë që kapërcejnë kufijtë e standardit dhe të vetë gjuhës shqipe (duke përdorur fjalë të huaja).
Por, përveç përdorimeve të tilla, kohët e fundit, kemi ndeshur në të shkruar disa fjalë të shkurtuara, të cilat gjejnë hapësirë pikërisht në atë që do ta quanim “e folura kompjuterike” dhe bëhet fjalë për gjuhën që përdorin njerëzit (kryesisht të rinjtë) që komunikojnë në “chat” nëpërmjet internetit. Parapëlqyem të përdorim pikërisht sintagmën “e folur kompjuterike”, meqenëse komunikimi realizohet midis njerëzve me anë të kompjuterit, jo si një formë e korrespondencës zyrtare (për këtë të fundit duhet të kemi parasysh përdorimin që ka “chat”-i).
Nga një sondazh i shkurtër të bërë nga ana jonë me anë të intervistave tek “përdoruesit” e chat-it, rezultoi se pjesa më e madhe e tyre e përkufizonin chat-in si një mënyrë të shpejtë komunikimi, si një komunikim “që të zgjidh punë”, si një komunikim spontan mes njerëzve apo edhe si një mënyrë komunikimi “pa e vrarë mendjen”. Këto përkufizime nuk i sollëm jo pa dashur, pasi këto të çojnë rrjedhimisht në mendimin se në chat “me patjetër” mund të ndeshemi me fjalë apo shprehje të shkurtuara, meqenëse dhënësi i informacionit kërkon të përçojë mesazhin e tij tek marrësi në një kohë sa më të shkurtër.
Fjalët dhe shprehjet në këtë lloj të folure janë nga më të ndryshmet. Ka fjalë a shprehje të shkurtuara të tilla, si: flm (në vend të fjalës “faleminderit”), klm (në vend të “kalofsh mirë”), tpf (në vend të “të puth fort”), spk (në vend të “si po kalon”), tl (në vend të “të lutem), sh (në vend të shumë) etj. Gjithashtu, përpos përdorimeve të shkurtimeve të tilla të gjuhës shqipe, ndeshemi shpesh edhe në përdorimin e shkurtimeve të huazuara, kryesisht nga italishtja dhe nga anglishtja. P.sh. thnx (në vend të “thanks”), pls (në vend të “please”), ok (në vend të “dakord”), tvb (ti voglio bene), tvtb (ti voglio tanto bene), tvumdb (ti voglio un mondo di bene), bc (baci), gg (oggi), cmq (comunque) etj.
Në disa raste, jemi ndeshur dhe me përdorimin e x-së në vend të ks-së në fjalë të ndryshme, si: Alexandër (për Aleksandër), anex (për aneks), text (për tekst), fix (për fiks) etj.
Për paralelizëm, mund të sjellim faktin që në Itali, në të tilla situata, italianët shpeshherë përdorin k në vend të ch apo c, në varësi të fjalës (p.sh. “perke” për “perche” etj.). Siç edhe dihet, secili “përdorues” i chat-it i përdor fjalët në shërbim të përcjelljes së informacionit në mënyrë të tillë që marrësi ta kuptojë tërësisht atë që ai kërkon të shpjegojë në një kohë sa më të shpejtë. Por, ka edhe raste kur për të njëjtën shkronjë ka interpretime të ndryshme të saj. P.sh. nëse ndeshim një formë të tillë: “1 x” në shqip do të kuptohej si “një herë”, ndërsa në italisht “një për” (uno per). Shkurtimet e mësipërme janë bërë tashmë një kod lehtësisht “i përkthyeshëm” nga mijëra përdorues të chat-it në Shqipëri.
Gjuha, si një mekanizëm në lëvizje, pasurohet dita-ditës dhe, ashtu si pa kuptuar, pëson ndryshime në kontekste të ndryshme.
Kontekst tjetër të ndeshjes së formave të tilla të gjuhës janë edhe mesazhet (sms-të) që dërgohen me anë të telefonave celularë. Përveç përdorimit të shkurtimeve të mësipërme, ndeshim edhe tekste si në vijim: “M prit n mens. Do vij pr 5 min. Ka sh trafik ktu. M co 1 zile kur t lex. sms.” Po të vëmë re këto fjali të thjeshta të tekstit të mesazhit, kuptojmë lehtësisht se ç’është shkruar, por ndryshimi nga “normalja” është pikërisht se disa fjalëve në të shkruar u mungon zanorja ë (e cila në shqiptim përfaqësohet nga bashkëtingëlloret që i paraprijnë), në vend të fjalës së plotë shumë është përdorur shkronja sh, në vend të foljes lexosh (veta e secilës nënkuptohet nga konteksti) është shkruar lex., si dhe në vend të shkronjës ç është përdorur c. Lidhur me ndryshimin e fundit, ku në vend të shkronjës ç përdoret c, mund të themi të njëjtën gjë edhe për shkronjën e që përdoret në vend të ë-së në raste të tjera, qoftë edhe në media sot (sidomos ne median televizive).
Si përfundim, mendojmë se përdorime të fjalëve a shprehjeve në kontekste të këtilla nuk mund dhe nuk duhet të kenë ndikim në gjuhën standarde shqipe, pasi këto shkurtesa vihen në ndihmë të “folësit elektronik” (në rastin konkret, shkruesit) vetëm dhe thjeshtë për arsye të shpejtësisë së përcjelljes së informacionit me shkrim apo për “kursim” të hapësirave në mesazhet që shkruhen mes miqsh (kryesisht tek të rinjtë).
Gjithsesi, nëpërmjet këtij shkrimi kemi dashur të bëjmë thjesht një përqasje që na u duk me vlerë për t’u hedhur në letër, pasi, sidokudo, kjo mënyrë e të shkruarit është shtrirë dhe po gjen përdorim gjithnjë e më të shpeshtë në komunikimin mes të rinjve shqiptarë.



