Në fokusin e dialogut

Autorët

  • Editorial

Abstract

Përvoja e dialogimit është shumë e hershme. Atë e përkrahën dhe e përpunuan të gjithë njerëzit e mençur, mendimtarët e të gjitha kohërave dhe të të gjitha rrymave filozofike, qofshin këto idealiste, materialiste, racionaliste, empiriste, ekzistencialiste, irracionaliste, fenomenaliste etj. Pjesa më e madhe e të menduarit në të gjitha shkollat filozofike gjatë historisë - fokusohet në rolin e dialogimit si metodë për njohjen e botës dhe të shoqërisë njerëzore, si dy realitete që ekzistojnë në lidhje e vartësi midis tyre.
Dialogimi për problemet e shoqërisë, natyrisht është më i komplikuari, por më i domosdoshmi, sepse ai ndikon drejtpërsëdrejt në ecurinë dhe mbarëvajtjen e shoqërisë njerëzore dhe individuale. Dialogu kështu funksionon si rregullator i marrëdhënieve midis njerëzve dhe amortizon konfliktet. Ky rregullator fillon funksionimin që në momentin kur personat dhe palët e ndodhura në konflikt ulen për të dialoguar. Kështu, është hedhur hapi i parë. Ecuria e mëtejshme e dialogimit, deri në vendosjen e mirëkuptimit, karakterizohet nga shumë probleme e situata që kërkojnë menaxhim.
Kur njerëzit kanë ditur të flasin me gjuhën e dialogut e të tolerancës, partnerët kanë dalë të fituar; në të kundërtën, ata kanë qenë të dëmtuar. E fituar apo e humbur ka qenë edhe shoqëria. Për t’u bindur, mjafton që t’i hedhim një vështrim historisë së njerëzimit që nga lashtësia e deri në ditët tona. Popujt primitivë nuk kishin aftësi për të dialoguar. Konfliktet midis tyre ato i zgjidhnin nëpërmjet shkopinjve, gurëve, heshtave, harqeve, çomangave, grushtave. Moszgjidhja e konflikteve në etapat e mëvonshme të historisë së shoqërisë njerëzore, deri në ditët tona, është riciklim i primitivizmit.
Në dialogim, njerëzit shprehin interesat, qëllimet, motivet, por edhe idetë dhe kulturat e tyre. Aty ku idetë dhe kulturat janë progresive edhe shoqërore, edhe individët janë në progres. Në dialogim njeriu njeh mirë vetveten, të mirat dhe dobësitë në substancën e tij, në idetë dhe pikëpamjet e tij, vështron vetveten në optikën dhe opinionin e të tjerëve dhe kupton se sa është i pranueshëm dhe sa i kundërshtueshëm. Gjatë dialogimit njeriu bën korrigjimin e vetvetes. Çdo njeri ka nevojë për korrigjim.
Gjatë dialogimit përceptohet drejt tjetri, me të mirat dhe dobësitë që ka.
Dialogimi është sitë për të veçuar të këqijat nga të mirat. Gjatë dialogimeve përballen mendjet, logjika dhe vihen në peshim argumentet, të gjitha vlerat njerëzore, pa përjashtuar moralin dhe virtytet. Në dialogim të gjithë janë të fituar, ndërsa në konflikte dhe luftëra nuk ka të fituar. Dialogimi nuk është kënaqësi filozofike, por forcë dhe përpjekje për t’u dhënë zgjidhje problemeve sociale. Aty ku nuk gjenden zgjidhjet, mbeten problemet. Popujt duan të jetojnë në paqe, në harmoni dhe të gëzojnë bashkarisht të mirat e, për këtë qëllim, historikisht kanë dialoguar dhe do të vazhdojnë të dialogojnë, pavarësisht pengesave dhe vështirësive.

Prirjen për dialogim e ndeshim hershëm edhe tek shqiptarët. Kanë qenë ngjarjet e mëdha historike si imperativ i këtij angazhimi; por njëherazi edhe aftësia që për probleme e çështje madhore të parët tanë flisnin me gjuhën e dialogut. Kjo prirje ka përshkuar si rreze drite dhe ka ndriçuar hapësirat shekullore e arrijnë si mesazhe jetike deri në ditët tona.
Që në fillimet e shekullit IV p.e.r. krijohet Lidhja Molose e disa vite më vonë pasohet nga Symahia Epirote, duke hedhur kështu bazat kushtetuese të krijimit të një shteti të vetëm. Gjatë shekujve XII-XV ndodhën shumë ngjarje që pasuan njëra-tjetrën e ku fryma dialoguese ngrihet në nivele kuvenduese, në arritjen e marrëveshjeve dhe në marrje vendimesh, për të kulmuar me Kuvendin historik të Lezhës më 2 mars, 1444, nën kryesinë e Skënderbeut, i cili arriti që edhe nëpërmjet dialogimit t’i bashkonte shqiptarët, duke kapërcyer kundërshtitë dhe mosmarrëveshjet midis tyre.
Gjatë viteve 1614, 1639, 1648 përsëri shqiptarët midis tyre dhe me fqinjët gjenden në kuvendime që do të mbanin ndezur flakën e patriotizmit. Edhe shekulli XIX do t’i gjente shqiptarët këmbëkryq në kuvende: në Berat, Vlorë, Çamëri, Përmet, Mallakastër, Janinë apo Shkodër e duke kulmuar në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, që nënshkroi aktin historik të besëlidhjes shqiptare. Në skenën e historisë do të parakalonin të tjerë burra trima, të urtë e të mençur që do të dinin t’i bashkonin shqiptarët në kuvende e në luftë për çështjen kombëtare; do të parakalonin kështu Frang Bardhi, Age Zenel Gjoleka, Pashko Vasa, Ymer Prizreni, Sami Frashëri, Jani Vreto e deri tek kryediplomati Abdyl Frashëri. Era e kuvendimit do të frynte në Gjakovë, Dibër, Prevezë, Gjirokastër, Pejë dhe në skenën e historisë shqiptare do të parakalonin Sulejman Vokshi, Iljaz Pashë Dibra, Haxhi Zeka. Së bashku me mijëra e mijëra delegatë nga e gjithë Shqipëria e në të gjitha trojet shqiptare, do t’i binin kryq e tërthor tokës amtare jo me avionë dhe helikopterë, por me karvanë,
duke përshkuar rrugë të gjata, duke ecur ditën e natën, në vapën përvëluese të korrikut dhe në të ftohtin e dimrit. Në fillimshekullin XX kuvendimet do të vazhdonin në Manastir, Elbasan, Grecë e do të kurorëzoheshin në Vlorë në kuvendin historik të Shpalljes së Pavarësisë; e përsëri dalin në skenë Bajo Topulli, Mithat Frashëri, Gjergj Fishta, Ismail Qemali. Nuk do të lodheshin shqiptarët për të dialoguar e për të formuar Shoqata, Komitete e Federata dhe për të botuar gazeta e revista në Bukuresht, Sofje, Egjipt, Londër, Bruksel e deri në SH.B.A, nëpërmjet të të cilave kuvendonin nga larg me shqiptarët dhe për Shqipërinë. Historia e Shqipërisë nuk mbaron. Mund të vazhdohet me Kuvendin e Lushnjes e të tjera ngjarje, ku shqiptarët i gjen kokë më kokë e krah për krah për të kuvenduar dhe vepruar. Kanunet janë dëshmi të qarta ku fryma dialoguese nuk mbetet e nuk kufizohet thjesht në rang takimesh, por shkon deri në nivele marrje vendimesh me forcën e ligjeve për t’u respektuar.
Në ato raste ku ka munguar dhe nuk është gjetur gjuha e dialogut, shqiptarët janë ndodhur të përçarë e të dobët. Shekulli XX, së shumti, ishte kohë e dialogut të munguar, e klimës mbytëse për çdo frymëmarrje dialogu. Në natën e gjatë dhe të errët zhduken të gjitha ngjyrat, të gjitha duken njëlloj të zeza.

Shoqëria shqiptare sot ndodhet në tranzicion. Tranzicioni më i gjatë dhe më i vështirë është në botën shpirtërore. Kushdo e sheh, e ndjen dhe e përjeton krizën shpirtërore. Çdo ditë masmedia jep “sihariqin” për njerëz që prangosen, aksidentohen apo që vrasin njëri-tjetrin për “motive të dobëta”, që janë ngujuar prej zakonit barbar të gjakmarrjes, që drogohen, që vetëvriten etj. Nuk është mençuri të numërosh të keqen, kur e keqja përsëritet. Mençuri është ta kërko sh e ta gjesh të mirën, edhe sikur të jetë hedhur në fund të detit. Shoqëria shqiptare përballet sot me shumë probleme për të cilat realisht informon masmedia dhe bisedohet kudo, në familje dhe në çdo mjedis shoqëror. Informacionet, lajmet dhe bisedat krijojnë më shumë përshtypje se jetojmë në shoqëri të problematizuar dhe shpeshherë krahasohemi me vendet më të prapambetura të botës. Kështu po e njohim ne vetveten dhe po kështu prezantohemi para të tjerëve. Për këto probleme, patjetër duhet dialoguar për të gjetur zgjidhjet, për të ndryshuar vetveten e njëherazi imazhin e botës për ne. Shpeshherë ndodhemi në udhëkryqe apo para portash të mbyllura e problemesh që duam t’u japim zgjidhje. Çelësi i gjetjes së zgjidhjeve është dialogimi. Dialogu ka të tjera rregulla, të tjera qëllime. Ai është përpjekje për gjetje zgjidhjes, është alternativë dhe racionalitet.
Në shoqërinë tonë dialogohet për problemet shqetësuese, zhvillohen emisione e tryeza të rrumbullakëta, flasin analistë, sociologë, gazetarë, politikanë dhe, padyshim, fjalët shpeshherë qëllojnë në shenjë. Fjalët shpesh përhapen me shpejtësinë e dritës. Ato kanë forcën e tyre, por nuk mjafton të thuhet fjala e mirë. Një proverb thekson: Fjala pa veprim është si pema pa kokrra.
Vlerat vijnë jo vetëm nga thellësitë e shekujve, por prodhohen çdo ditë para syve tanë. Ato janë oksigjeni i një shoqërie. Vështrimi drejt tyre krijon klimë të shëndetshme.
Dialogimi për vlerat e identitetit dhe kulturës sonë mbase do të ndikojë në krijimin e një klime të re më optimiste. Do të e cim kështu drejt një shoqërie që i jep me shumë liri individit të krijojë idealet e veta apo të grupit. Në kushtet e një lirie të fituar rishtas, ndoshta mund ta pësojmë nga teprimet. Në këto kushte, askush nuk mund të konsiderohet i imunizuar. Dialogimi do të na ndihmojë për të vendosur ekuilibrin midis arsyes dhe dëshirës, midis të lejuarës dhe të ndaluarës, midis vetes dhe tjetrit. Në vrullin drejt asaj që sapo kemi fituar, ështe mirë të ndalim hovin edhe për atë që nuk duhet të bëjmë.
Në kushtet e diversitetit kultura shqiptare krijoi fizionominë dhe identitetin e vet të patjetërsueshëm, krijoi vlerat e veta, të cilat shërbejnë si një pasqyrë ku shqiptarët shohin vetveten në amfiteatrin historik të tyre. Identiteti dhe vlerat e tij nuk mund të transplantohen dhe të huazohen artificialisht dhe nuk mund të ngjyrosen sipas shijevë individuale. Ato janë produkt shoqëror i prodhuar ndër shekuj dhe janë të padiskutueshme. Identiteti gjendet në mshin dhe gjakun e njerëzve, në mënyrën e jetesës, në botën shpirtërore dhe në gjithë modelimin psiko-kulturor.

Keywords:

dialogimi, konfliktet, toleranca, njohja e vetvetes, vlerat shoqërore

Downloads

Download data is not yet available.

Published

2026-03-05

How to Cite

Editorial. 2026. “Në Fokusin E Dialogut”. Univers 8 (8):15-19. https://www.albanica.al/univers/article/view/6988.

Numër

Section

Editorial