Mbrojtja e Ulqinit

Autorët

  • Prof. dr. Hasan ÇIPURI

Abstract

Ulqini, një qytet i lashtë ilir i fisit të labeatëve, i njohur me emrin Ulcinium ose Olcinium dhe i përmendur për herë të parë në vitin 168 p.e.s., kur u pushtua nga romakët, ishte një nga limanët më të mbrojtura. Aty strehohej flota e fuqishme detare e shtetit ilir.
Sipas Vendimit të Fuqive të Mëdha të 26 qershorit 1880, Ulqini me rrethinat e tij duhej t’i dorëzohej Malit të Zi. Qeveria e Stambollit, përballë qëndresës së vendosur të banorëve të Ulqinit dhe të të gjitha krahinave shqiptare, u detyrua të pranonte dorëzimin e Ulqinit, me qëllim që të shmangte planin e demonstrimit detar, i cili do të kishte pasoja për të.
Ndërsa Porta e Lartë filloi të përgatitej intensivisht për të marrë masa energjike ndaj shqiptarëve tejet të revoltuar, degët e Lidhjes Shqiptare të Ulqinit dhe Shkodrës morën kundërmasa të menjëhershme për organizimin e qëndresës ndaj vendimit të Fuqive të Mëdha dhe kundër kërcënimit të qeverisë së Stambollit. Kështu, në muajin gusht të vitit 1880, rreth 2000 vullnetarë shqiptarë të qytetit dhe të rrethit të Ulqinit rrëmbyen armët. Më vonë, pasi u mor vesh se flota detare e bashkuar e Fuqive të Mëdha do të demonstronte në ujërat e Ulqinit, 6000 vullnetarë shqiptarë sulmuan më 17 shtator 1880 dhe morën Ulqinin në duart e tyre, duke e detyruar ushtrinë osmane të mbyllej në kazerma dhe më vonë të largohej fshehurazi nga qyteti.
Në situatën e krijuar, raporti i forcave ishte 1:10 në favor të armikut (3000 vullnetarë shqiptarë përballë 30.000 trupave dhe 200 grykash zjarri artilerie, pa llogaritur epërsinë në armatime e teknikë luftarake). Vetëm trupat malazeze arrinin në 6000 veta, të mbështetura nga 4 bateri artilerie në afërsi të malit Sutorman nga veriu. Ndërkaq, edhe flota e bashkuar detare e Fuqive të Mëdha numëronte 17 anije të mëdha luftarake me 138 topa dhe 7300 trupa të këmbësorisë detare, si dhe 22 batalione të ushtrisë osmane që mbanin të bllokuar të gjithë rajonin prej Lezhës deri në Shkodër.
Pas disfatës së operacionit mbrojtës të Klesnas, të nesërmen më 23 nëntor 1880, forcat osmane vazhduan marshimin për në Ulqin. Në këtë drejtim, para tyre qëndronte si pengesë ende vija mbrojtëse në malin e Mozhurës. Prandaj, forcat marshuan përsëri në dy kolona: njëra ndoqi rrugën Shëngjergj–Ulqin e cila, pasi kaloi malin e Brinjës, lëvizi drejt pikës, ku rruga tjetër e Shkodrës zbriste pranë fshatit Pistull, në pjesën lindore të Mozhurës. Këtu ajo u ndesh me pararojat e forcave shqiptare. Tjetra ndoqi rrugën Klesna–Ulqin dhe doli në krahun verior të Mozhurës. Ndryshe nga sa parashikonte komanda osmane, forcat shqiptare në Mozhurë nuk bënë qëndresë, sepse pas disfatës së Klesnas vendosmëria e tyre ishte tronditur.
Pasi Ulqini iu dorëzua trupave malazeze, me qindra familje ulqinake morën rrugën e mërgimit. Pjesa më e madhe shkuan në drejtim të Shkodrës, Shëngjinit e Durrësit. Me dhjetëra anije tregtare ulqinake u vendosën në bregdetin shqiptar.
Ky ishte dhe përfundimi tragjik i Ulqinit shqiptar. Por nga qëndresa e armatosur që bënë shqiptarët, opinioni ndërkombëtar u bind se treva e Ulqinit nuk ishte një krahinë malazeze dhe se Fuqitë e Mëdha ia kishin dhënë atë padrejtësisht Malit të Zi.

Keywords:

Ulqini, rezistenca shqiptare, Fuqitë e Mëdha, Lidhja Shqiptare, Dorëzimi i Ulqinit

Downloads

Download data is not yet available.

References

  1. Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 1985.

  2. Vojna Enciklopedija (Enciklopedia jugosllave), Beograd, 1975.

  3. K. Frashëri, Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881), Tiranë, 1997.

  4. AKTE/RKSH.

  5. K. Frashëri, po aty.

  6. K. Frashëri, po aty.

  7. Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 1985.

  8. Akademia ushtarake "Spiro Moisiu", Historia e Artit Ushtarak të popullit shqiptar prej rendit skllavopronar deri më 1939, vëll. II, Tiranë, 1989.

  9. K. Frashëri, po aty.

  10. K. Frashëri, po aty.

Published

2026-03-05

How to Cite

Prof. dr. Hasan ÇIPURI. 2026. “Mbrojtja E Ulqinit ”. Univers 8 (8):141-49. https://www.albanica.al/univers/article/view/7090.

Numër

Section

Horizonte Shoqërore

Similar Articles

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 > >> 

You may also start an advanced similarity search for this article.