A ёshtё realizmi socialist njё arkiv ?
Shёnime teorike mbi estetikёn dhe akumulimin
DOI:
https://doi.org/10.71398/as.v19i19.486Abstract
Një sërë përpjekjesh studimore janë rrekur të përvijojnë joshjen që paraqet arkivi, jo vetëm nga ana e përmbajtjes, por edhe si formë (an)estetike, për modernizmin (dhe post-modernizmin). Megjithatë, derimë tani, përpjekjet për të kuptuar saktësisht marrëdhënien midis realizmit socialist dhe arkivit, qoftë si tematikë apo si modalitet i të kuptuarit historik, janë të pakta. Arsyet për këtë nuk mungojnë: ideologjia e deklaruar sintetike e realizmit socialist, që përgjithësisht synonte të distilonte dhe të purifikonte një imazh konsekuent të zhvillimit shoqëror drejt së ardhmes së projektuar komuniste, shihet, më së shumti, si një iluzion, një shtrembërim i historisë, i cili zbulohet (për ironi) pikërisht nëpërmjet të dhënave dokumentare që gjenden nëpër arkiva. Marrëdhënia e vështirë e realizmit socialist me fotografinë, mbështetja e këtij të parit tek imazhi dokumentar, krahas nevojës së tij për të fshirë detajet historike “problematike”, për të rishkruar të kaluarën, duket se shkon në kundërshtim me ambicien e arkivit drejt plotësisë dhe objektivitetit. Thënë kjo, ka dhe arsye të rëndësishme për të supozuar se realizmi socialist (konceptuar si një variant specifik i modernizmit) funksiononte vërtet në mënyrë arkivore. Historia e realizmit socialist, ashtu si dhe ajo e arkivit, është e gërshetuar fort me burokracinë; aparati ideologjiki realizmit socialist, njësoj si arkivi i shekullit XIX, lidhej në mënyrë thelbësore me hulumtimin e kohësisë. Për më tepër, realizmi socialist u zhvillua, shpeshherë, krahas një sërë projektesh arkivore (siç ishin përpjekjet nacionaliste për të dokumentuar kulturën popullore në periferi, për shembull, ose për të prodhuar narrativat shteruese të veprimtarive antifashiste). Një tjetër arsye është fakti se, për artistët dhe historianët postsocialistë, objektet kulturore socrealiste padyshim që janë bërë tashmë një arkiv, një tërësi të dhënash që duhen zhbiruar, riorganizuar dhe vënë në pikëpyetje. Sprova e mëposhtme parashtron një tog pyetjesh rreth realizmit socialist dhe arkivit, specifikisht, në kontekstin e artit të epokës socialiste në Shqipëri: Deri në ç’masë ishte realizmi socialist një formë arkivore e artit? Nëse realizmi socialist funksionoi si një arkiv në epokën e tij, ç’lloj arkivi ishte ai? Si duhen kuptuar ndërhyrjet bashkëkohore që dëshmojnë një angazhim me artin e realizmit socialist, nga pikëpamja e ngjashmërive (ose dallimeve) që ato kanë me ndërhyrje të tjera postsocialiste nëpër të tjerë arkiva burokratikë? A ishte pikëpamja e realizmit socialist mbi arkivin moderniste, postmoderniste apo diçka krejt tjetër?



