Arkivi. Drejtësia. Kujtesa. Koha
Reflektime mbi ethet arkivore (mal d’archive) të Esat Shalës
DOI:
https://doi.org/10.71398/as.v20i20.507Abstract
Ky artikull, i cili fokusohet në “projektin” arkivor të Esat Shalës, është një reflektim mbi arkivin dhe marrëdhëniet e tij me drejtësinë, kujtesën e kohën. Prej më se njëzet vitesh, Esat Shala, një djalë i ri nga fshati Krajkovë në Kosovë, mbledh regjistrime filmike e zanore, imazhe fotografike e ditarë të masakrave dhe krimeve të luftës që ndodhën në Kosovë në vitet 1998-1999. Sot koleksioni i tij arrin në mbi 2500 artikuj, një numër me të vërtetë mbresëlënës. Vendosëm t’i përqasemi kësaj praktike nëpërmjet një analize narrative, duke u fokusuar në atë çfarë bën Shala (procesin praktik), si dhe në arsyen pse ai bën atë që bën (kuptimin që ai i vesh procesit praktik), bazuar në materialet e shkruara si dhe ato audiovizuale që ekzistojnë në rrjet mbi Shalën dhe arkivin e tij.2 Jemi përpjekur që të shmangim presupozimet e të mos marrim për të mirëqenë as natyrën e ndërmarrjes së Shalës dhe as motivet e tij. Përkundrazi, jemi përpjekur të angazhohemi në një “dëgjim të thellë” të përgjigjeve të tij, shpesh të përsëritura e kësisoj konsekuente.
Artikulli fillon me disa reflektime mbi arkivin dhe lidhjet e tij me luftën e të kaluarën, e, më pas, vijon me një përshkrim të kontekstit socio-politik të Kosovës së viteve 1990, në të cilin ngjizet dhe “projekti” i Esat Shalës. Nëpërmjet analizës sonë, ne e lexojmë “projektin” e Shalës si një rezistencë të patundur dhe të pandalshme, e cila i kundërvihet harresës së organizuar, si një sfidë ndaj amnezisë institucionale, si dhe një akt përkujdesje dhe drejtësie për viktimat e të mbijetuarit e luftës. Ne e lexojmë këtë përpjekje qëndrestare, pamundësinë për t’u ndalur e për t’u dorëzuar, si një formë dëshpërimi të pamposhtur, të cilin Shala e ruan me kokëfortësi.



